Lajme

Kosova përballë Serbisë në OKB, njohësit zbulojnë mesazhet kryesore

Më 20 tetor, u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Kosovën, e cila u karakterizua nga qëndrime të ndryshme të përfaqësuesve ndërkombëtarë lidhur me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe të ardhmen e Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Kosova u përfaqësua nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili gjatë fjalimit të tij trajtoi disa çështje kyçe, përfshirë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, marrëdhëniet me Serbinë, funksionimin e institucioneve dhe perspektivën ndërkombëtare të Kosovës.

Gjithashtu, ai kritikoi raportin e UNMIK-ut, duke e cilësuar të njëanshëm, dhe kërkoi përfundimin e mandatit të këtij misioni.

Gjatë adresimit të tij, Konjufca kundërshtoi pretendimet e përfaqësuesit të Serbisë, Marko Gjuriq, duke vënë në pah krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ai e kritikoi Gjuriqin për mosadresimin e vrasjeve të civilëve shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të përgjegjësisë për krimet e luftës.

Njohësit vlerësojnë se paraqitja e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së shërbeu për të kundërshtuar pretendimet e Serbisë dhe për të mbrojtur interesat shtetërore të Kosovës. Ata theksuan rëndësinë e forcimit të diplomacisë, kërkimit të drejtësisë për sulmin në Banjskë dhe rishikimit të rolit të UNMIK-ut në përputhje me realitetin aktual në Kosovë.

Muçiqi: Konjufca e demantoi me fakte ministrin serb Marko Gjuriq

Image
Ismail Muçiqi

Së pari, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, publicisti Ismail Muçiqi foli në lidhje me paraqitjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, në Këshillin e Sigurimit, duke e cilësuar atë si një përfaqësim të rëndësishëm të interesave të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Më thotë mendja se Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, e prezantoi Kosovën në mënyrë brilante para Këshillit të Sigurimit. Z. Konjufca i preku të gjitha çështjet aktuale problematike me të cilat është përballur shteti i Kosovës në raport me Serbinë. Ai, në mënyrë analitike, foli për të gjitha pikat e ndjeshme të situatës aktuale politike dhe të sigurisë, duke filluar nga konstituimi i shtetit të Kosovës, zgjedhja e Kryetares së Parlamentit, zgjedhja e Qeverisë dhe, më në fund, zgjedhja e Presidentit/Presidentes së Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme e demantoi në mënyrë të shkëlqyeshme, me fakte, Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili edhe kësaj radhe, në Këshillin e Sigurimit, u mundua që, përmes gënjeshtrave dhe manipulimeve, ta fajësojë shtetin e Kosovës për gjendjen në Kosovë dhe për vuajtjet e komunitetit serb pakicë”, ka thënë ai.

Sipas Muçiqit, një nga pikat e rëndësishme të paraqitjes së ministrit ishte qëndrimi i institucioneve të Kosovës lidhur me organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

“Z. Konjufca dërgoi mesazhe të qarta për Bashkësinë Ndërkombëtare se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe nuk do të lejojnë që strukturat kriminale në veri të Kosovës ta destabilizojnë situatën politike dhe të sigurisë. Konjufca e bëri me dije Këshillin e Sigurimit se Republika e Kosovës e kontrollon të gjithë territorin e saj dhe kufijtë e saj, si dhe se Qeveria dhe institucionet e tjera kanë vendosur të zhvillojnë luftë pa kompromis kundër dukurive negative, korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e forcuar sistemin e drejtësisë në të gjitha nivelet.

Andaj, edhe kësaj radhe, diplomacia kosovare, në Këshillin e Sigurimit, tregoi se është në nivelin e përgjegjësisë, duke mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës, si dhe sovranitetin dhe integritetin e saj. Andaj, çdo tendencë për ta zbehur fjalimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës në Këshillin e Sigurimit është e pavërtetë”, përfundoi Muçiqi për “Bota sot”.

Jakupi: Kosova duhet të forcojë diplomacinë

Ndërsa, analisti politik Zejnullah Jakupi, për “Bota sot”, vlerësoi se mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën përbën një mundësi të rëndësishme për prezantimin e qëndrimeve shtetërore dhe për mbrojtjen e interesave të vendit në arenën ndërkombëtare.

Image
Zejnullah Jakupi

“Paraqitjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara e vlerësoj si një mundësi të rëndësishme diplomatike për të prezantuar qëndrimet tona shtetërore, për të mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës dhe për t’ia rikujtuar bashkësisë ndërkombëtare realitetin politik dhe të sigurisë në vendin tonë.

Ministri Glauk Konjufca përcolli mesazhin se Kosova është një shtet demokratik, me institucione legjitime, me orientim të qartë euroatlantik dhe me përkushtim ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës ndëretnike. Njëkohësisht, ai vuri në pah nevojën që zhvillimet në Kosovë të trajtohen në mënyrë objektive dhe të paanshme, duke mos anashkaluar çështjet që lidhen me sigurinë, sovranitetin dhe përgjegjësinë për sulmet ndaj vendit tonë.

Një prej mesazheve më të rëndësishme ishte kërkesa për përgjegjësi dhe drejtësi lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, si dhe për zbardhjen e sulmit ndaj infrastrukturës kritike në Ibër-Lepenc. Pa drejtësi dhe pa llogaridhënie, është e vështirë të ndërtohet besim i qëndrueshëm dhe të arrihet normalizimi i vërtetë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Tutje, Jakupi ka folur edhe për qëndrimet e shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit.

“Sa i përket qëndrimeve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, mbledhja dëshmoi se ekzistojnë dallime të qarta në vlerësimin e situatës në Kosovë dhe të rolit të UNMIK-ut. Disa shtete theksuan rëndësinë e dialogut, të zbatimit të marrëveshjeve dhe të mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve, ndërsa të tjera mbajtën qëndrime që pasqyrojnë dallimet e tyre politike lidhur me statusin e Kosovës dhe zhvillimet në rajon. Në të njëjtën kohë, diskutimet për të ardhmen e UNMIK-ut treguan se ekziston hapësirë për rishikimin e rolit dhe të mandatit të këtij misioni, në përputhje me realitetin e sotëm në Kosovë”, ka potencuar ai.

Po ashtu, analisti ka theksuar se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë platformë ndërkombëtare për të forcuar argumentet e saj.

“Mendoj se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë platformë për të qenë edhe më e qartë në argumentet e saj, për të forcuar bashkëpunimin me partnerët strategjikë dhe për të dëshmuar se institucionet e saj janë të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe integrimit në strukturat euroatlantike.

Në fund, vlerësoj se mesazhi ynë duhet të jetë i qartë: Kosova është e përkushtuar ndaj paqes dhe dialogut, por paqja e qëndrueshme kërkon respektimin e sovranitetit, drejtësi, përgjegjësi dhe trajtim të barabartë të të gjitha palëve. Interesi ynë shtetëror mbetet forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe avancimi i rrugës drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe në organizatat ndërkombëtare.

Mbledhja e 20 tetorit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dëshmoi edhe një herë se, për çështjen e Kosovës, vazhdojnë të ekzistojnë dallime të thella ndërmjet shteteve anëtare. Rusia dhe Kina mbetën në linjën e tyre të njohur, duke mbështetur qëndrimin e Serbisë dhe vazhdimin e mandatit të UNMIK-ut. Këto qëndrime nuk janë të reja, por pasqyrojnë një realitet diplomatik me të cilin Kosova duhet të përballet përmes argumenteve, diplomacisë aktive dhe forcimit të partneriteteve ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Jakupi ka bërë dallimin mes kërkesës për përfundimin e misionit dhe ndryshimit formal të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, duke theksuar se bëhet fjalë për procese të ndërlidhura.

“Në anën tjetër, qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës për rishikimin e rolit të UNMIK-ut, e veçanërisht kërkesa amerikane për përfundimin e mandatit të tij, janë një zhvillim me rëndësi politike. Ato tregojnë se ekziston një vlerësim se realiteti në Kosovë ka ndryshuar ndjeshëm që nga viti 1999 dhe se roli i këtij misioni duhet të rishqyrtohet në përputhje me rrethanat e sotme.

Edhe qëndrimi i Greqisë meriton vëmendje. Ndonëse Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ajo shpreh mbështetje për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për përmirësimin e efikasitetit të UNMIK-ut. Kjo tregon se, edhe aty ku ende ekzistojnë dallime rreth statusit të Kosovës, mund të ketë hapësirë për përafrim në çështje konkrete të politikës evropiane dhe të stabilitetit rajonal.

Sa i përket Shteteve të Bashkuara, kërkesa për përfundimin e mandatit të UNMIK-ut është veçanërisht domethënëse. Megjithatë, duhet të jemi të saktë: përfundimi i misionit dhe ndryshimi formal i Rezolutës 1244 janë dy çështje të ndërlidhura, por jo identike. Një zhvillim i tillë do të kërkonte hapa përkatës në Këshillin e Sigurimit, ku Rusia dhe Kina vazhdojnë të kenë ndikim vendimtar përmes statusit të tyre si anëtare të përhershme”, ka theksuar ai.

Në fund, shtoi se Kosova duhet të vazhdojë angazhimin diplomatik dhe të forcojë bashkëpunimin me aleatët strategjikë, në mënyrë që të avancojë pozitën e saj ndërkombëtare.

“Për Kosovën, mesazhi kryesor është se rruga përpara kërkon diplomaci të qëndrueshme, bashkëpunim me aleatët strategjikë dhe angazhim të vazhdueshëm për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë. Mbështetja e partnerëve nuk duhet të merret si e mirëqenë, por të konsolidohet përmes institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe përkushtimit ndaj paqes e stabilitetit.

Në fund, besoj se interesi ynë shtetëror është që Kosova të trajtohet gjithnjë e më shumë si realitet i pakthyeshëm politik dhe institucional në rajon. Çdo debat ndërkombëtar që hap rrugë për rishikimin e mekanizmave të krijuar në vitin 1999 duhet të shfrytëzohet me maturi, duke pasur si synim forcimin e sovranitetit të Kosovës, avancimin e njohjeve ndërkombëtare dhe integrimin e plotë në strukturat euroatlantike.

Qëndrimi amerikan për mbylljen e UNMIK-ut është konfirmuar në mbledhjen e 20 tetorit 2026. Mbretëria e Bashkuar ka kërkuar rishikim strategjik të misionit, ndërsa Franca ka mbështetur masa për rritjen e efikasitetit të tij. Greqia ka shprehur mbështetje për vazhdimin e mandatit për aq kohë sa të jetë e nevojshme, por edhe gatishmëri për përmirësimin e efikasitetit. Prandaj, qëndrimet e këtyre vendeve nuk janë plotësisht të njëjta”, përmbylli Jakupi për “Bota sot”.

Të Ngjashme