Kosova po prezanton potencialin e saj turistik në panairin ndërkombëtar Travel News Market 2026, i cili po mbahet këtë të enjte në Stokholm të Suedisë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, dhjetë kompani turistike vendore po prezantojnë destinacionet, atraksionet dhe përvojat e ndryshme që ofron Kosova për vizitorët ndërkombëtarë.
“Panairi paraqet një mundësi për takime biznesore B2B, shkëmbim kontaktesh dhe krijimin e partneriteteve me operatorë turistikë dhe agjenci udhëtimi nga tregu nordik”, thuhet në njoftim.
Pjesë e prezantimit të Kosovës është edhe alpinistja, Uta Ibrahimi, e cila përmes përvojave të saj në udhëtime dhe eksplorimin e natyrës promovon mundësitë që vendi ofron për turizmin e aventurës.
Pjesëmarrja organizohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në bashkëpunim me projektin GROW, të mbështetur nga Sida dhe të zbatuar nga Swisscontact, si dhe në koordinim me Ambasadën e Kosovës në Suedi.
Përmes kësaj pjesëmarrjeje synohet rritja e prezencës së Kosovës në tregjet nordike dhe krijimi i mundësive të reja për bashkëpunim dhe zhvillim të bizneseve turistike vendore në tregun ndërkombëtar./teve1.info/
