Kuriozitete

AKSHI prezanton “e-Gjoba”, të gjitha gjobat administrative në një platformë të vetme

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit prezantoi sot platformën “e-Gjoba”, platformën elektronike për administrimin, ekzekutimin dhe vjeljen e gjobave administrative, në një tryezë pune që bëri bashkë drejtuesit e përgjithshëm të institucioneve publike në vend.

Në takimin e prezantimit, ku merrnin pjesë drejtori i përgjithshëm i AKSHI-t, Igli Tafa dhe Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, në fokus ishte funksionalizimi i platformës, koordinimi ndërinstitucional dhe integrimi i sistemeve ekzistuese në një regjistër unik kombëtar të gjobave. Sistemi u prezantua nga Sonja Sinorukaj, drejtore për Marrëdhëniet e-Gov me Institucionet pranë AKSHI-t.

Qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësi të aksesojnë të gjitha gjobat administrative në një platformë të vetme, përmes “e-Albania”. Gjithashtu do të informohen në kohë reale mbi gjobën, institucionin që e ka vendosur, arsyen, dokumentacionin dhe statusin e saj.

Shërbimi i ri mundëson kryerjen e pagesave online, të plota ose të pjesshme me përditësim të statusit, si dhe ankimim elektronik dhe ndjekje të çdo faze të shqyrtimit. Gjithashtu, përdoruesit do të marrin njoftime elektronike dhe akses në historikun e gjobave, përmes një procesi tërësisht të digjitalizuar.

Nga regjistrimi dhe shqyrtimi institucional, te nënshkrimi dhe vula elektronike, njoftimi në “e-Albania”, pagesa dhe administrimi i ankimeve, “e-Gjoba” administrative standardizon të gjithë ciklin e një gjobe administrative, duke mundësuar gjurmueshmërinë e çdo veprimi.

Sistemi parashikon integrimin me platformat ekzistuese të institucioneve, përfshirë Policinë e Shtetit, Tatimet dhe “e-Inspektimin”, si dhe ofron monitorim në kohë reale, statistika dhe raportim mbi gjobat, arkëtimet, detyrimet e papaguara dhe respektimin e afateve.

Drejtori i përgjithshëm i AKSHI-t, Igli Tafa, theksoi rëndësinë e krijimit të një sistemi kombëtar unik, që rrit transparencën në marrëdhënien mes institucioneve dhe qytetarëve, duke mundësuar informimin dhe ndjekjen e çdo gjobe përmes “e-Albania”-s. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për funksionalizimin e plotë të platformës, si dhe zhvillimet e ardhshme, përfshirë njoftimin përmes WhatsApp.

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, vuri theksin te përgjegjësia e institucioneve për zbatimin e kuadrit ligjor, përmbushjen e detyrimeve për aktivizimin e sistemit dhe monitorimin e vazhdueshëm të administrimit të gjobave.

Në vijim të prezantimit, institucionet do të finalizojnë konfigurimet, procedurat, rolet dhe integrimet e nevojshme, me objektiv vënien në funksion të plotë të sistemit deri në fund të javës së ardhshme.

Të Ngjashme