Lajme

KPK suspendon Kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka suspenduar të enjten Kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj. Vendimi u mor në një mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, Vuçetaj u suspendua me 7 vota për. Vendimi erdhi pas rekomandimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi. KPK-ja themeloi edhe panel hetimor, pasi ndaj saj do të iniciohet procedurë disiplinore.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli suspendoi nga detyra edhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri. Ajo e kishte në trajtim rastin e Arlinda Zekajt dhe ishte njëkohësisht koordinatore për rastet e dhunës në familje. Edhe për të u themelua panel hetimor.

Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave. Në rend dite ishte raporti për veprimet e Prokurorisë Themelore në Pejë në trajtimin e rastit.

Suspendimi nuk do të thotë se përgjegjësia është vërtetuar. Panelet hetimore pritet të vlerësojnë nëse të dyja prokuroret kanë shkelur detyrimet e tyre ligjore.

Gashi konfirmon procedurën disiplinore

Para fillimit të mbledhjes, Kryeprokurori Gashi i kishte konfirmuar Telegrafit se kishte iniciuar procedurë disiplinore dhe kishte rekomanduar suspendimin e dy prokuroreve. Sipas raportimeve, procedurat lidhen me gjetjet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për veprime dhe mosveprime të dyshuara në trajtimin e rastit.

Gashi kishte vendosur më herët që hetimi për vrasjen e Arlinda Zekajt të kalojë nga Peja në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Letra për ndihmë që përfundoi te kryeprokurorja

Para se të vritej, Arlinda Zekaj i ishte drejtuar me letër për ndihmë Këshillit Prokurorial të Kosovës. Këshilli më pas ia kishte përcjellë letrën kryeprokurores në Pejë.

Zekaj e kishte raportuar ish-bashkëshortin, Jeton Sylaj, për dhunë në familje. Ajo kishte paralajmëruar institucionet e drejtësisë se jeta e saj ishte në rrezik, ndërkohë që po zhvillonte edhe betejën për kujdestarinë e djalit.

Më 17 shtator 2026 ajo ishte ankuar edhe te kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë. Në ankesë pretendonte se gjyqtari i çështjes kishte vendosur në kundërshtim me ligjin dhe pas afateve ligjore. Aktvendimi për urdhrin mbrojtës, i cili parashihte edhe ndarjen e shtëpisë me ish-bashkëshortin, tashmë është marrë nga inspektorët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

I dyshuari në paraburgim një mujor

49-vjeçarja u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë. I dyshuar për vrasjen është ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ai u arrestua të martën në mbrëmje në Deçan, pas disa ditësh në arrati.

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar Sylajt një muaj paraburgim, si i dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë”. Sipas informacioneve nga seanca, Sylaj pretendoi se e kishte kryer vrasjen në afekt. Ai u dorëzua pas negociatave me Policinë, të zhvilluara përmes nënës së tij.

Hetime edhe në Polici dhe në QPS

Përveç prokurorisë, nën hetim janë edhe institucionet e tjera që kishin kontakt me viktimën.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprime hetimore për mënyrën si Policia i trajtoi raportimet e saj. Kjo erdhi pas publikimit të incizimeve të një bisede të saj me togerin e Policisë në Pejë, Faruk Muqolli, disa ditë para vrasjes.

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka konfirmuar nisjen e inspektimeve në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë. Protesta kundër vrasjeve të grave janë mbajtur në Prishtinë dhe Ferizaj, ku qytetarët kërkojnë llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale.

Të Ngjashme