Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shpreh shqetësimin për ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, të cilat parashikojnë rritje të barrës tatimore për bizneset. Sipas AmCham, këto masa rrezikojnë të frenojnë investimet, të rrisin kostot e aktivitetit ekonomik dhe të dobësojnë konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon.
Ndryshimet parashikojnë rritjen e tatimit mbi dividendët nga 8 në 15 për qind, si dhe të TVSH-së standarde nga 20 në 21 për qind. Gjithashtu, disa norma të reduktuara të TVSH-së propozohet të rriten nga 6 në 10 për qind.
AmCham paralajmëron se këto ndryshime mund të ndikojnë në çmimet e mallrave dhe shërbimeve, duke rënduar buxhetet familjare dhe duke zbehur përfitimet e synuara nga lehtësitë për produktet bazë. Organizata vlerëson se rritja e të ardhurave publike duhet të mbështetet fillimisht në luftën kundër informalitetit, zgjerimin e bazës tatimore dhe përmirësimin e administrimit fiskal.
Ajo kërkon gjithashtu publikimin e analizave të ndikimit ekonomik dhe social, si dhe zhvillimin e konsultimeve reale me komunitetin e biznesit përpara miratimit të ndryshimeve. Në përfundim, AmCham i bën thirrje qeverisë të rishqyrtojë masat e propozuara dhe të garantojë stabilitet për bizneset dhe investitorët.
/rtsh.al/
