Lajme

KQZ: 78% e kutive të votimit me postë janë numëruar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ku deri më tani janë numëruar 174 nga 223 kuti votimi.

Sipas KQZ-së, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës.

Nga fillimi i këtij procesi më 12 qershor në ora 21:00 deri më 16 qershor në ora 16:00, janë numëruar 174 nga 223 kuti votimi, që përbëjnë 78.02 për qind të procesit.

Sipas procedurave, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit, janë sistemuar në 223 kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar. Aktualisht, procesi i numërimit po zhvillohet në 20 tavolina numërimi.

Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë.

Të dielën, KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pakove të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809 dhe janë refuzuar 2,981.

Këto pako janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.

Të Ngjashme