Lajme

KQZ e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë nënshkruan sot marrëveshje për ngritjen e standardeve zgjedhore në të dyja vendet, me qëllim të ngritjes së efikasitetit të punës institucionale dhe modernizimit të organizimit, menaxhimit dhe administrimit të zgjedhjeve.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Prishtinë dhe në emër të dy institucioneve nënshkruan kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe komisionari shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Të dy institucionet bien dakord për të mbështetur njëra-tjetrën me logjistikë zgjedhore, organizimi i punëtorive të përbashkëta, shkëmbimi i informacionit për praktikat dhe teknologjitë inovative me qëllim të administrimit sa më efikas të proceseve zgjedhore.

KQZ-ja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të vazhdojnë ta mbështesin njëra-tjetrën për pjesëmarrje në organizata ndërkombëtare me ekspertizë zgjedhore, si dhe në aktivitetet e organizuara prej tyre, thuhet në njoftim./KP