Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit që do të përdoret për votimin me postë jashtë Kosovës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas vendimit të KQZ-së, ky fletëvotim do të përdoret ekskluzivisht për procesin e votimit me postë, i cili do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor 2026. Në kuadër të këtij procesi, votuesve të regjistruar jashtë Kosovës do t’u dërgohen materialet zgjedhore përmes postës.
Në mbledhjen e sotme, KQZ ka miratuar edhe formulën për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve me Kusht. Bazuar në këtë formulë, pritet të emërohen 214 anëtarë të nominuar nga subjektet politike, të cilët do të angazhohen në 52 vendvotime me kusht në kuadër të 38 qendrave të votimit.
Po ashtu, përmes procedurës qarkulluese, KQZ ka aprovuar formulën për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve për votimin e rregullt të 7 qershorit. Në këtë proces do të angazhohen rreth 14,500 anëtarë, përfshirë edhe anëtarët rezervë, të cilët do të administrojnë procesin zgjedhor në vendvotime.
KQZ ka miratuar gjithashtu formulën për përbërjen e ekipeve të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit, ku do të angazhohen mbi 2 mijë anëtarë për verifikimin dhe numërimin e votave pas ditës së zgjedhjeve.

