Lajme

KQZ sot nis rinumërimin e 185 vendvotimeve

Ka përfunduar procesi i numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ndërsa sot në mëngjes pritet të nisë rinumërimi i një pjese të tyre.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se institucioni ka marrë vendim për rinumërimin e 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat më herët janë numëruar në Qendrat Komunale të Numërimit.

Sipas KQZ-së, këto vendvotime përbëjnë 7.41 për qind të gjithsej 2,498 vendvotimeve të rregullta.

Elezi ka njoftuar se rinumërimi do të fillojë të enjten në mëngjes, më 18 qershor 2026.

“Ky numër përbën 7.41% të vendvotimeve nga gjithsej 2,498 vendvotime të rregullta në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026. Rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të fillojë të enjtën në mëngjes…”, ka thënë Elezi, duke theksuar se masa është marrë për të siguruar saktësinë e procesit zgjedhor.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 53 ulëse në Kuvend me 47.13 për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 22 ulëse dhe 19.44 për qind.

Të Ngjashme