Lajme

Kraki: Çështja e presidentit në pikën zero, LDK po bën “show propagandues”

Nezir Kraki nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur sot për media lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se situata aktuale mbetet e paqartë dhe pa zgjidhje konkrete.

Ai kritikoi Lidhja Demokratike e Kosovës, duke e cilësuar qasjen e saj si “show propagandues”.

“Duhet të gjejmë një rrugë të logjikshme dhe të arritshme, një rrugë që tregon se e kemi seriozisht për Kosovën. Kjo është dita e fundit dhe nuk mund të ketë show. Ata thanë se kanë një emër, por nuk po vijnë në seancë. Mendoj që po bëjnë show realisht”, deklaroi Kraki.

I pyetur nëse LVV-ja do ta votonte Vjosa Osmani për presidente, ai u shpreh se deri më tani nuk ka asnjë propozim konkret nga partitë tjera.

“Osmani nuk është duke ardhur si opsion. Nuk kemi marrë asnjë propozim konkret, as nga LDK e as nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Ky është problemi, sepse po mblidhemi për të bërë nënshkrime, por nuk ka ndodhur asgjë ende. Nuk dihet as emri dhe as nga kush propozohet – jemi në pikën zero”, tha ai.

Kraki shtoi se LVV-ja tashmë ka propozuar emrat e saj më herët, por ka treguar gatishmëri edhe për tërheqje në funksion të një zgjidhjeje.

Të Ngjashme