Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë i ka shpallur fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për katër akuza për krime lufte, ndërsa i ka liruar nga gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.
Pas aktgjykimit, në Kosovë kanë vijuar reagimet e ndryshme lidhur me procesin gjyqësor dhe themelimin e Dhomave të Specializuara.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Alban Krasniqi, i cili përmes një postimi në Facebook ka ngritur çështjen e votimit për themelimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015.
Krasniqi ka shkruar se, sipas tij, një numër i deputetëve që kishin qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin votuar në favor të themelimit të Gjykatës Speciale.
“Fakt i dhimbshëm: Së paku 18 deputetë veteranë të UÇK-së kanë votuar për themelimin e gjykatës speciale më 3 gusht 2015”, ka shkruar Krasniqi.
Gjykata Speciale u themelua me votimin e Kuvendit të Kosovës më 3 gusht 2015, ndërsa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka vazhduar për disa vite, deri në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë.
