Këngëtarja Blerina Matraku ka deklaruar në “Goca dhe Gra” detaje nga marrëdhënia e saj me kompozitorin Adi Hila, duke pretenduar se kishte besuar plotësisht tek ai dhe se nuk kishte dijeni për kamerat e sigurisë që ishin vendosur në banesë.
Këngëtarja tha se kishte krijuar ndjenja të sinqerta dhe se e kishte vendosur kompozitorin mes njerëzve më të besuar të jetës së saj.
Ajo shpjegoi se kishte qenë në dijeni të ekzistencës së një sistemi alarmi, por se ato ishin kamera sigurie.
“Unë e desha këtë njeri, e mbivlerësova këtë njeri dhe e hiperbolizova dhe e vendosa ndër njerëzit më të besuar, duke menduar që ishte Zoti ky, familja dhe më pas vetja ime.
Krijova ndjenja dhe ishin shumë të vërteta, të pastra dhe të çiltra dhe isha gati për ta bërë këtë njeri të lumtur, të qetë, për t’i plotësuar atë pjesën që ishte i ngarkuar. Kishte ngarkesa profesionale.
Nuk mund të përmend shumë gjëra, sepse nuk dua të cenoj një familje. Në atë kohë unë e kam ditur të ndarë, në momentin që e kam marrë vesh që nuk ka qenë i tillë, unë u tërhoqa.
Ajo falje nuk ishte e plotë, këto falje të tmerrshme nuk i meriton askush, mua kjo më vë përpara përgjegjësisë së masës. Unë jam e indinjuar, nuk do ta kisha bërë atë gjë nëse e dija që do të ndodhte një shpërndarje. Nuk dija absolutisht asgjë.
Unë jam e tradhtuar në këtë mes, por jo si partnere, jam e përdorur, e shitur si figurë të cilën ai e krijoi. Më rriti profesionalisht, një njeri që më fliste për seriozitetin, kujdesin. Nuk mendoja që një njeri mund të kishte papërgjegjshmëri morale për të vënë kamera sigurie në dhomat në shtëpi pa dijeninë time.
Nëse unë do ta kisha ditur që ajo aty është kamerë sigurie, do ta dija shumë mirë që një kamerë sigurie mund të monitorohet nga diku tjetër. Unë e dija sistem alarmi. Nuk e dija që aty kishte kamerë sigurie. Meqë ka pasur vjedhje asokohe”, u shpreh Matraku.
