Në Tiranë po zhvillohet Samiti i katërt i Diasporës shqiptare me temën “Përmes rrënjëve lartësohemi”, i cili ka mbledhur qindra përfaqësues nga trevat shqipfolëse dhe diaspora shqiptare në mbarë botën.
Ky samit synon të forcojë lidhjet mes shqiptarëve jashtë vendit dhe institucioneve në atdhe, si dhe të nxisë bashkëpunimin në fusha të ndryshme si kultura, ekonomia dhe arsimi.
Gjatë diskutimeve janë trajtuar sfidat dhe mundësitë e diasporës, si dhe roli i saj në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
Samiti po mbahet në kryeqytetin shqiptar, Tirana, dhe është parashikuar të përfundojë sot, më 15 prill.
Hebibi: Diaspora shqiptare – nga potencial i madh në fuqi reale zhvillimi

Dashnim Hebibi
Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih, thekson se Samiti i katërt i Diasporës në Tiranë riktheu në vëmendje rëndësinë e diasporës si pjesë e kombit, por sipas tij organizimi ka qenë më shumë simbolik se sa përmbajtësor.
Ai vëren se përfaqësimi nuk ishte mjaftueshëm gjithëpërfshirës, pasi dominuan pjesëmarrësit nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe disa vende të Evropës, ndërsa diaspora globale shqiptare nuk ishte e përfaqësuar në mënyrë të balancuar.
“Samiti i katërt i Diasporës Shqiptare në Tiranë solli sërish në vëmendje një temë thelbësore: rolin e diasporës si pjesë e pandashme e kombit. Megjithatë, përtej simbolikës dhe organizimit formal, mbetet e domosdoshme një analizë më e thelluar dhe më kritike mbi atë çfarë është arritur realisht dhe çfarë mungon ende.
Samiti i Diasporës do të duhej të ishte dukshëm më gjithëpërfshirës dhe më i fuqishëm, si në përfaqësim ashtu edhe në përmbajtje. Nga ajo që u reflektua në organizimin aktual, vihej re se pjesa më e madhe e pjesëmarrësve vinte nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës e gjitha nga evropa e pjesa e Shqiperisë nga Italia e Greqia e tek tuk nga Franca e Belgjika. Kjo tregon se, ndonëse këto treva janë pjesë shumë e rëndësishme e trupit kombëtar, përfaqësimi i diasporës shqiptare në një plan më të gjerë global mbetet i kufizuar dhe jo i balancuar. Nuk është diasporë vetëm Italia e Greqia”, tha ai.
Tutje, shprehet se një samit kombëtar i diasporës duhet të përfshijë gjithë shqiptarët në botë, nga Evropa dhe Amerika deri në Australi e Turqi, pasi përndryshe rrezikon të mbetet vetëm një aktivitet rajonal.
Sipas tij, mungesa e diasporës nga Turqia është një mangësi e madhe. Po ashtu, ai propozon që samiti të mos mbahet vetëm në Tiranë, por të organizohet edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, për të rritur përfshirjen dhe barazinë e pjesëmarrjes. Në këtë mënyrë, samiti do të bëhej një platformë më reale bashkëpunimi dhe jo vetëm simbolike.
“Një samit me pretendim kombëtar duhet të reflektojë të gjithë hartën e diasporës shqiptare – nga Evropa Perëndimore, Amerika e Veriut, Australia, deri në Turqi dhe më gjerë. E mërgata nga Turqia po na mungon për këto katër samite. Përndryshe, rrezikon të mbetet një aktivitet rajonal, dhe jo një platformë e vërtetë bashkimi dhe bashkëpunimi mbarëkombëtar.
Në këtë kuadër, lind si domosdoshmëri që samiti të mos kufizohet vetëm në Tiranë, por të organizohet në mënyrë të alternuar edhe në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut. Një qasje e tillë do të sillte disa përfitime konkrete: do të rriste përfshirjen, do të forconte ndjenjën e përkatësisë dhe do të krijonte mundësi më të barabarta për pjesëmarrje për komunitete të ndryshme të diasporës.
Për më tepër, zhvendosja e samitit në hapësira të ndryshme shqiptare do ta kthente atë në një mekanizëm real bashkëpunimi dhe jo thjesht një ngjarje simbolike. Vetëm përmes një organizimi më të hapur, më të balancuar dhe më përfaqësues, samiti mund të arrijë të jetë zëri i vërtetë i diasporës shqiptare kudo që ajo ndodhet” – përfundon ai.
Mustafa: Samiti i 4 i Diasporës, i Tiranës, një farsë e radhës!

Xhevat Mustafa
Kurse, opinionisti nga Shqipëria, Xhevat Mustafa, Samitin e Diasporës këtë vit e ka parë si një nismë të mbështetur nga Edi Rama për të forcuar lidhjet me diasporën, por e kritikon ashpër atë.
Sipas tij, pjesëmarrja në samit dominohet nga persona me prejardhje nga familje të lidhura me ish-sistemin komunist në Shqipëri, duke e interpretuar këtë si një vazhdimësi politike dhe jo si përfaqësim të vërtetë gjithëpërfshirës të diasporës shqiptare.
“Në këta mbi 12 vjet mbretërimi, Edi Rama ka investuar dhe financuar shndërrimin në traditë edhe të samiteve të Diasporës. Lehtë kuptohet se synimi apo motivi i parë ka qenë dhe mbetet afrimi dhe forcimi i lidhjeve mes pati-qeverisë së tij me sa më shumë përfaqësues nga Diaspora, kryesisht apo masivisht me origjinë nga familje të lidhura prej afro 82 vitesh me PKSH-PPSH- PSSH. Më shqip apo troç, bij e bija, nipër dhe mbesa nga familje të lidhura me bindje, tesera, interesa politike, ekonomike, karriere, vepra…me sistemin apo regjimin komunist. Pra, nga gjyshër e prindër që kanë qenë me funksione, poste, detyra…të hapura e të fshehta në shërbim të drejtpërdrejtë të diktaturës enveriane, si zyrtarë të lartë e të mesëm partikakë, aparatçikë në KQ të Partisë, në kryeministri, në ministrinë e mbrojtjes, në ministrinë e brendshme-sigurim, në MPJ e në struktura të tjera me rol dhe ndikim në epokën e qeverisjes komuniste”, thekson ai.
“Kjo lidhje 85 vjeçare gjenetike dhe 23 vjeçare pas 1990-tës u pa dhe kuptua edhe në emrat, fytyrat, diskutimet… e shumicës së të ftuarve në këtë samit të ri, pa shumë risi! U pa dhe kuptua edhe në mungesën në sallë, pra, mosardhjen në Samit të jo pak të ftuarve. Kjo i detyroi organizuesit e tij të mbushnin vendet bosh dhe sallën me njerëz nga zyrat e institucioneve të afërta me godinën e organizimit të samitit, nga kryeministria, presidenca, ministri, nga bashkia e Tiranës, nga Universiteti, nga mësuesit e shkollave të mesme… Salla duhej mbush plot para hyrjes së kryeministër-sulltanit. Qëllimi i ideuesve, sajuesve, regjisorëve, përfituesve të këtij samiti u shpreh dhe u kuptua edhe nga figurat dhe emrat në tribunë, edhe nga lista e atyre që lexuan fjalime apo hartime, edhe nga afeksioni dhe kujdesi më i madh ndaj atyre me lidhje gjaku apo ADN-je partike apo politike”.
Mustafa, në prononcimin e tij për “Bota sot” ironizoi fjalimin e Edi Ramës në Samitin e Diasporës, duke thënë se shumë pjesëmarrës nga diaspora e njohin mirë atë dhe mezi kanë mbajtur të qeshurën.
Ai e kritikon stilin e tij të komunikimit dhe deklaratat e samitit, duke i parë si të tepruara dhe jo plotësisht serioze.
“Shumë nga pjesëmarrësit ardhur me të vërtetë nga Diaspora, por që prej mbi 12 vitesh e njohin Edi Ramën me dhëmbë e dhëmballë, me virtyte e vese, me sandale e skandale, me brekushe si të Haxhi Qamilit dhe me atlete adidas si Michael Jordanit, mezi i kanë përmbajtur shpërthimin e të qeshurave, kur ai vazhdoi hartimin e tij, me frazën: “…ky samit nuk është një mbledhje ceremoniale, është një deklaratë qëllimesh të larta dhe të përbashkëta, është pa dyshim dhe mishërim i bindjes sonë se diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendrën e saj”, theksoi ai.
“Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare, nënkuptueshëm, sepse ai me shoqe dhe shokë, në këta 12 vjet janë bërë multimilionerë e miliarderë, shumë më të pasur se shumica e diasporasve. Ky vend është një kantier i madh transformimesh që e fton diasporën në pjesëmarrje; pjesëmarrje në investime, pjesëmarrje në inovacion dhe në jetën akademike, pjesëmarrje në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë…”. Shumë prej këtyre njohësve të mirë të Edi Ramës si njeri, si kryetar dhe kryeministër i PS-së, kanë nisur të vrasin mendjet se si e ku të gjejnë mundësi e forma për të ardhur në Shqipërinë e këtyre 12 viteve për të hapur e mbajtur sa më gjatë një biznes të suksesshëm dhe jetëgjatë, kur shumicën e hapësirës e të vendeve i kanë zënë po Rama me shoqe e shokë, me bashkëpunëtorë, kushërinj, ortakë, miq…shqiptarë dhe ndërkombëtarë, italianë-ndraghetas, latino-amerikanë, turq, arabë, serbë…!?”.
Në përfundim, Mustafa thotë se diaspora ka nevojë për zgjidhje reale dhe përfaqësim të vërtetë, jo për samite ceremoniale.
“Ky samit do të hyjë në histori për keq e për shërbim historik ndaj Greqisë edhe me dokumentarin skandaloz në hapje të tij, ku, sipas skenaristit të tij dhe konsulentëve historikë, arvanitasit në Greqi na qenkan jo autoktonë, por “një mërgatë shqiptare e ikur dhe ngulur në Greqi pas rënies së Skënderbeut!?” Ky është një akt i pafalshëm panhelenizmi! Na ruajtë ZOTI, mos vjen dita dhe u shkrepet “akademikëve” të Skënder Gjinushit dhe të Edi Ramës ta quajnë edhe Kosovën mërgatë apo diasporë”, thekson ai.
Ai kritikon mungesën e aktivistëve të diasporës dhe përfshirjen e personave pa lidhje të drejtpërdrejtë me komunitetet, duke e quajtur këtë praktikë denigruese dhe të papranueshme. Sipas tij, disa pjesëmarrës, si Eva Baci, e kanë kritikuar hapur samitin dhe propagandën e tij, duke e quajtur të pabesueshëm dhe të rremë.
“Ne mendojmë se Diaspora shqiptare nuk ka më shumë nevojë për samite ceremoniale, sa për përfaqësim të vërtetë, për dëgjim dhe për zgjidhje reale të problemeve të saj. Shqiptarët në Greqi, si edhe në shumë vende të tjera përballen çdo ditë me sfida të mëdha: dokumentacioni, punësimi, integrimi social, të drejtat, pensionet, arsimi i fëmijëve. Këto nuk zgjidhen me fjalime dhe foto zyrtare, por me politika serioze dhe angazhim të drejtpërdrejtë…”
Gjatë dy ditëve të Samitit ra në sy dhe u shpreh si kritikë se u ishte mohuar pjesëmarrja në samit zërave që punojnë për Komunitetin dhe në vend të tyre folën persona, që nuk kanë asnjë lidhje me Diasporën?!
Disa nga diskutantët e shprehën hapur e me dozë kritike se futja në samit e njerëzve me miq në krye të PS dhe qeverisë dhe e jo e aktivistëve me angazhim dhe kontribut shumëvjeçar është më shumë se denigrim i kontribuesve, ky është një provokim. Mjaft më me kësij praktikash, diaspora duhet të jetë partnere reale, jo dekor në aktivitete formale. Krahas jo pak të tjerëve që ua përplasën në sy dhe ua shprehën me kurajë opinionet e tyre Edi Ramës dhe ndihmësve të tij për këtë samit se janë bërë qesharakë dhe të pabesueshëm me hipokrizinë dhe demagogjinë e tyre edhe ndaj Diasporës ishte Eva Baci, një juriste shqiptare që jeton e punon në Bolonja në Itali. Për 3 minuta sa foli ajo e rrëzoi të gjithë fasadën me të cilën Edi Rama ndërton çdo aktivitet e sidomos Samitin e Diasporës. Ajo ua tha SHQIP: “i thërrisni shqiptarët ku janë e ku nuk janë, me demek për ti dëgjuar shqetësimet e tyre, por kur i grumbulloni në Tiranë, u tregoni vetëm përrallat e arritjeve imagjinare, te paketuara me copa propagandë të dalë boje”, përfundon ai.
