Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në mbledhjen e parë të Bordit të Korporatës së Ruajtjes së Energjisë – KRE.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri tha se krahas KEK-ut dhe Ibër-Lepencit që prodhojnë energji elektrike, si dhe KOSTT-it që e transmeton atë, tani e kemi edhe Korporatën e Ruajtjes së Energjisë (KRE), që do ta ruajë energjinë për orët kur na duhet më së shumti ajo.
Pasi tha se KRE-ja është njëqind për qind në pronësi të Republikës së Kosovës, kryeministri vlerësoi se ajo është pasuri e përbashkët e qytetarëve tanë, që duhet ta mbrojmë duke e mirëmenaxhuar.
“Programi Kompakt ka vlerën e gjithmbarshme prej 236.7 milionë dollarë, me ç’rast 202 milionë dollarë janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, dhe 34.7 milionë janë kontribut nga Qeveria e Republikës. Është një investim i përbashkët në sigurinë energjetike dhe në zhvillimin afatgjatë në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri falënderoj ministren Rizvanolli dhe ekipin e Ministrisë së Ekonomisë, pastaj MCC-në, MCA-Kosova për punën e përbashkët.
“Qeverisë dhe popullit amerikan u shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,
I nderuari Drejtor i MCC-së në Kosovë, z. Rinor Gjonbalaj,
I nderuari kryesues, z. Bujar Haxha,
Të nderuar anëtarë të Bordit,
E nderuara drejtore e MCA-Kosova, znj. Florina Duli-Sefaj,
Të nderuar përfaqësues të MCC-së,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Ne e kemi KEK-un dhe Ibër-Lepencin që prodhojnë energji elektrike. E kemi KOSTT-in që e transmeton atë. Tani e kemi edhe Korporatën e Ruajtjes së Energjisë, KRE, që do ta ruajë energjinë për orët kur na duhet më së shumti ajo. Me këtë ndërmarrje të re publike, po i shtojmë sistemit tonë energjetik një aftësi e cila i ka munguar.
Që në hartimin e Programit Kompakt me partnerët amerikanë, kemi punuar që investimi në bateri të shoqërohet me krijimin e ndërmarrjes e cila do t’i zotërojë dhe do t’i menaxhojë ato. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit – MCC-në kemi themeluar edhe KRE-në. Sot, me mbledhjen e parë të Bordit, vazhdojmë punën për ta bërë ndërmarrjen të gatshme për operim.
KRE-ja është njëqind për qind në pronësi të Republikës së Kosovës. Pra, është pasuri e përbashkët e qytetarëve tanë. Pasurinë publike e mbrojmë duke e mirëmenaxhuar dhe duke e shtuar. Ndërmarrjet tona publike duhet të jenë të suksesshme, të krijojnë vlerë ekonomike dhe këtë vlerë ta vënë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve. Ky është orientimi ynë edhe me KRE-në.
Programi Kompakt ka vlerën e gjithmbarshme prej 236.7 milionë dollarë, me ç’rast 202 milionë dollarë janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, dhe 34.7 milionë janë kontribut nga Qeveria e Republikës. Është një investim i përbashkët në sigurinë energjetike dhe në zhvillimin afatgjatë në Kosovë.
KRE-ja do të ketë në pronësi dhe do të operojë bateritë në Istog, me fuqi prej 125 megavat dhe kapacitet ruajtës prej 250 megavat-orë energji. Bashkë me sistemin prej 90 megavat-orësh të KOSTT-it në Ferizaj, vendi ynë do të ketë 340 megavat-orë kapacitet të ri për ruajtjen e energjisë në pronësi publike.
Në praktikë, kjo do të thotë ta ruajmë energjinë kur e kemi tepricë, për ta kthyer në rrjet atëherë kur kërkesa rritet. Kështu zvogëlojmë nevojën për importe në orët e pikut dhe e ndihmojmë balancimin e sistemit.
Të nderuar anëtarë të Bordit,
Përvoja juaj në energjetikë, financa, drejtësi dhe administratë, brenda e jashtë vendit, është e çmuar. Nga ju presim që ta ndërtoni ndërmarrjen mbi rekrutimin me meritë, vendimmarrjen profesionale dhe llogaridhënien zyrtare. Teknologjisë së re duhet t’i përgjigjemi me qeverisje të mirë. Qytetarëve, të cilëve u përket kjo ndërmarrje, u detyrohemi përgjegjësi për çdo vendim.
Unë e falënderoj ministren Rizvanolli dhe ekipin e Ministrisë së Ekonomisë, pastaj MCC-në, MCA-Kosova për punën e përbashkët. Qeverisë dhe popullit amerikan u shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e Republikës së Kosovës.
Ju uroj punë të mbarë dhe shërbim sa më cilësor të ndërmarrjes për qytetarët e Kosovës pa dallim.
Faleminderit për ftesën dhe vëmendjen!

