Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, tha se vendi i tij do ta vazhdojë angazhimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor edhe në rast se KFOR-i e zvogëlon praninë dhe operacionet në Kosovë.
Siç raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA, Crosetto i bëri këto komente në Prishtinë, në margjinat e ceremonisë së ndërrimit të komandës së misionit të KFOR-it.
Ai theksoi se Ballkani është pjesë e rëndësishme e sigurisë së Italisë dhe përmendi mundësinë e vendosjes së radarëve në rajon në të ardhmen, me qëllim mbrojtjen e vendeve të rajonit dhe të vetë Italisë nga kërcënimet e mundshme.
“Kur merrni parasysh se raketat që goditën aeroportet e Arabisë Saudite u ndërtuan nga Huthitë – dhe jo nga inxhinierë të specializuar – dhe arritën shpejtësi prej 8.500 kilometrash në orë, e kuptoni natyrën e kërcënimeve me të cilat do të përballen të gjitha kombet në të ardhmen. Kjo thekson rëndësinë e ruajtjes së një pranie në vendet fqinje mike, me qëllim krijimin e një mburoje të përbashkët mbrojtëse, të aftë për t’iu kundërvënë kërcënimeve të tilla,” shtoi Crosetto.
