Kuriozitete

“Qeveria është me studentët, jo me zjarrvënësit”, Demo: Shqipëria nuk do të kthehet pas nga skenarët e destabilizimit

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas ngjarjeve dhe akteve të dhunës që shoqëruan protestat e dy ditëve të fundit në Tiranë, duke akuzuar atë që e cilësoi si “politikën e vjetër” për nxitjen e shkatërrimit dhe sulmeve ndaj institucioneve publike dhe pronës private.

Në një reagim, Demo deklaroi se protestat janë përdorur nga grupe dhe individë që synojnë destabilizimin e vendit, ndërsa theksoi se aktet e fundit nuk përfaqësojnë studentët dhe kërkesat e tyre.

“Sot, e gjithë Shqipëria pa se në emër të studentëve, politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve dhe bastisjeve të pronës publike e private”, u shpreh ministri.

Ai pretendoi se pas incidenteve qëndrojnë jo vetëm organizatorë të brendshëm, por edhe aktorë që sipas tij kanë vepruar përmes rrjeteve sociale për të nxitur tensione dhe pasiguri.

Sipas Demos, protestat e ditëve të fundit kanë shfrytëzuar dëshirën legjitime të studentëve për më shumë progres dhe ndryshim, por janë devijuar nga qëllimi fillestar.

Duke iu drejtuar veçanërisht studentëve, ministri theksoi se qeveria mbetet e hapur ndaj kërkesave dhe shqetësimeve të tyre.

“Unë, Kryeministri, qeveria jonë dhe Partia Socialiste kemi qenë dhe jemi gjithnjë me ju dhe për ju. Edhe kur ju nuk jeni me ne, nuk votoni për ne apo mendoni ndryshe nga ne, ne jemi këtu për ju. Sepse nuk ju shohim si kundërshtarë, por si trashëgimtarë të një stafete kombëtare që nesër do të jetë e juaja”, deklaroi ai.

Ministri kujtoi gjithashtu se Pakti për Universitetin lindi pas protestave studentore të viteve të mëparshme dhe se sipas tij dialogu mbetet rruga e vetme për të arritur ndryshime.

“Qeveria është gjithnjë e hapur për ju. Nëse doni progres më të shpejtë, kjo është rruga, me dialog dhe jo me gurë. Kjo nuk është rruga e studentëve, por e mendjeve të mbrapshta që nuk kanë asnjë lidhje me ta”, tha Demo.

Në reagimin e tij, ai pati edhe një paralajmërim për autorët e akteve të shkatërrimit.

“Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private u them të tërhiqen sa nuk është tepër vonë, sepse mes entuziazmit të shkatërrimit në një turmë me maska dhe përgjegjësisë individuale para ligjit, kjo e dyta mund të vonojë, por nuk do të harrojë”, u shpreh ministri.

Demo falënderoi gjithashtu punonjësit e Policisë së Shtetit për menaxhimin e situatës, duke vlerësuar profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e treguar gjatë protestave.

Në fund të reagimit, ministri iu drejtua qytetarëve të Tiranës me një mesazh qetësues, duke deklaruar se ngjarjet e fundit nuk do të ndikojnë në rrugën europiane të vendit.

“Kush i ka porositur ato flakë i ka bërë llogaritë gabim. Kjo orvatje e dhunshme nuk ka asnjë shans ta kthejë Shqipërinë mbrapa dhe as ta largojë nga rruga e saj e progresit”, përfundoi ai.

Të Ngjashme