Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e organizuar nga ABSL Kosovo me temën “Kosova: Nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”.
Në fjalën hyrëse, ai tha se sektorët e shërbimeve BPO dhe TIK janë ndër sektorët që po rriten më së shpejti në ekonominë tonë dhe sot, ata punësojnë drejtpërdrejt mbi 47,000 persona.
“Qeveria e Kosovës e ka bërë zhvillimin e këtij sektori një prioritet të qartë për veten e saj, në strategji e në zbatim. Strategjia e Punësimit 2024–2028 vendos sektorin e TIK-ut dhe shërbimeve BPO në qendër të krijimit të vendeve të punës për të rinjtë. Ne po i rishikojmë kurrikulat arsimore në bashkëpunim me industrinë, po krijojmë stimuj fiskalë për investitorët e rinj dhe po punojmë për t’i thjeshtuar procedurat administrative”, tha kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Faleminderit z. Shala, Gent Shala, domethënë e mbajta mend. Harroi të thotë Genti që anëtarësia vjetore është 350 euro, që do të thotë se është më pak se paga minimale në Kosovë mujore, e cila është 425 e prej 1 korrikut bëhet 500 euro.
Të nderuar të pranishëm,
Kur më thanë që në mes të prillit, të mërkurën paradite duhet të vij në një takim për asociacionin isha pak skeptik, por kur më thanë që bëhet fjalë për asociacionin e bizneseve lidere në sektorin e shërbimit atëherë gjithçka ndërroi.
I nderuari z. Henrik Riby, Zëvendësshef i Misionit të Suedisë në Republikën e Kosovës,
I nderuar z. Egzon Rexhepi, kryetar i Bordit të ABSL Kosovës,
E nderuar znj. Tranda Gjonbalaj Pefqeli, drejtore e operacioneve të Concentrix,
Të nderuar anëtarë të ABSL,
Të nderuar përfaqësues të Sida, Helvetas dhe Help,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Kosova ka zgjedhur të punojë, të mësojë dhe të jetë e hapur ndaj botës. Mirë se ju gjej sot në këtë ngjarje dhe falënderoj organizatorët që e mundësuan këtë dialog. E shfrytëzoj këtë rast për ta uruar ABSL Kosovën për njëvjetorin – një vit i shkurtër në kohë, por i rëndësishëm në rezultate.
Sektorët e shërbimeve BPO dhe TIK janë ndër sektorët që po rriten më së shpejti në ekonominë tonë. Sot, ata punësojnë drejtpërdrejt mbi 47,000 persona, të cilët përfaqësojnë jo vetëm ata persona që punojnë e menaxhojnë, që krijojnë e zhvillojnë, por edhe familje, pastaj njerëz që blejnë shtëpi, e prona të tjera, mandej të rinj që zgjedhin të qëndrojnë në Kosovë dhe në qytetet e tyre, të cilat gjithnjë e më shumë po përparojnë.
Concentrix, sponsori kryesor i këtij takimi, e ka kuptuar këtë shumë mirë dhe shumë herët. Vendimi i tyre për të hapur qendra jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Mitrovicë dhe Prizren, tregon besim në potencialin e gjithë vendit tonë, jo vetëm të kryeqytetit. E vlerësoj këtë vizion dhe i falënderoj përzemërsisht për angazhimin e tyre.
Sot, 11,410 biznese janë aktive në sektorin e ekonomisë digjitale dhe të shërbimeve profesionale e mbështetëse, me një qarkullim i cili ka arritur në 2 miliardë euro në vitin që lamë pas, pra 2025, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 16 për qind. Nga këto, 78 për qind sigurojnë të ardhura nga tregjet ndërkombëtare, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Austria. Kjo tregon se Kosova, përtej produkteve, eksporton aftësi dhe njohuri.
Do të doja të ndalesha më gjatë në shifrat, sepse ka shumë për të diskutuar. Megjithatë, sot më është kërkuar të mos e bëj këtë, dhe me të drejtë, pasi Data4X do t’i prezantojë të dhënat më vonë. Prandaj, këtë pjesë ua lë atyre, sepse e bëjnë më saktë e më mirë. Mirëpo, shifrat tregojnë vetëm gjysmën e historikut.
Nëse më pyesni cila është pasuria më e madhe e Kosovës, natyrisht se do të them njerëzit tanë. Jemi populli më i ri në Evropë me më shumë se gjysmën e popullsisë nën moshën 35 vjeçare, të cilët flasin disa gjuhë, janë të talentuar e optimist dhe kanë shkollimin për të zhvilluar talentin e tyre. Sipas raportit të Emerging Europe, Kosova ka numrin më të madh të studentëve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit për kokë banori, në 23 shtetet evropiane të cilat i mbulon ky raport.
Për më tepër, kemi lidhje të forta me mërgatën tonë, mbi një milion prej të cilëve jetojnë në vendet gjermanofolëse; një kapital i cili nuk mund të mbivlerësohet.
Kjo reflektohet dukshëm në sektorin BPO në Kosovë, ku shumica e kompanive kanë pozita drejtuese, si pronarë, drejtorë ekzekutivë apo edhe në funksione të tjera kyçe, por edhe si punonjës, anëtarë të mërgatës sonë. Ata e njohin tregun evropian nga brenda, flasin mirë gjuhën e klientit dhe e kuptojnë kulturën e biznesit ndërkombëtar.
Sipas raportit të Emerging Europe, Kosova renditet e para në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor për konkurrueshmëri në fushën e teknologjisë së informacionit dhe është e 11-ta përgjithësisht. Këtë konkurrueshmëri e shohim qartë si në çmim, ashtu edhe në infrastrukturë.
Kostot e punës në Kosovë janë deri në 50 për qind më të ulëta se në Evropën Qendrore. Kemi valutën euro e në vijim do të kemi edhe valutën tonë digjitale. Jemi në të njëjtën zonë kohore me Stokholmin, Berlinin, Cyrihun e Madridin, si dhe kemi një klimë ligjore gjithnjë e më të favorshme për investitorët.
Të gjitha këto i mbështesim me zhvillime të mëdha infrastrukturore. Kosova është një ndër top tetë shtetet në Evropë sa i përket qasjes në internet dhe ofrojmë infrastrukturë digjitale të besueshme, dikur kemi fol me megabitë tash flasim me gigabitë shpejtësi. Tre vjet më parë kemi mbuluar 100% të zonave të banuara me internet broadband, pra me internet 5G, ndërkaq që nga dy vjet më parë jemi vendi i parë në rajon i cili ka lënë pas teknologjinë 3G; tash punojmë me 5G më shumë se dy të tretat e territorit të Republikës, ndërkaq pjesa tjetër mbulohet me 4G+.
Qeveria e Kosovës e ka bërë zhvillimin e këtij sektori një prioritet të qartë për veten e saj, në strategji e në zbatim. Strategjia e Punësimit 2024–2028 vendos sektorin e TIK-ut dhe shërbimeve BPO në qendër të krijimit të vendeve të punës për të rinjtë. Ne po i rishikojmë kurrikulat arsimore në bashkëpunim me industrinë, po krijojmë stimuj fiskalë për investitorët e rinj dhe po punojmë për t’i thjeshtuar procedurat administrative.
Politika e mirë ndërtohet përmes dialogut. Çfarë dëgjoj e do të dëgjoj nga ju sot, si sfidat, nevojat dhe idetë, padyshim që do të ndikojnë në vendimmarrjen e qeverisë. Kjo është arsyeja pse jam këtu bashkë me juve, jo vetëm për të folur, por edhe për të dëgjuar.
Tema e këtij eventi sot shpreh qartë ambicien tonë shtetërore e shoqërore: Kosova nuk mjaftohet me rolin e një destinacioni “nearshore” të lirë. Ne jemi të vetëdijshëm që bota dhe tregu i punës po ndryshojnë dhe na duhen shkathtësi dhe avancime teknologjike që të mbetemi konkurrues e të jemi gjithnjë e më konkurrues. Prandaj, kemi paraparë inicimin e projekteve dhe krijimin e celulave të inovacionit brenda sektorit publik për të testuar e pilotuar teknologjitë e reja, sikurse inteligjenca artificiale. Këto projekte dhe iniciativa do të ofrojnë mundësi shtesë për bashkëpunim me sektorin privat e akademinë, në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Synojmë të jemi vendi ku inovacioni zhvillohet dhe ku kompanitë ndërkombëtare vijnë jo vetëm për kosto, por për cilësi, besueshmëri dhe bashkëpunim afatgjatë në teknologjitë në zhvillim.
Ky nuk është një vizion i largët. Është një proces që tanimë ka nisur. Çdo vend pune i krijuar dhe çdo kompani e re që hapet është një hap konkret drejt këtij qëllimi.
Zonja dhe zotërinj,
Kosova ka gjithçka që i duhet për ta bërë hapin e ardhshëm: njerëz të talentuar, vendndodhje strategjike, vullnet politik, kompani inovative dhe natyrisht partnerë ndërkombëtarë. Detyra jonë së bashku, si Qeveri, industri dhe shoqëri, është ta kthejmë këtë potencial në realitet.
Ju uroj një ngjarje të suksesshme, diskutime të hapura dhe partneritete të qëndrueshme.
Ju falemnderit.
