Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ku është pritur nga kryeprokurori Burim Çerkini dhe prokurorët e kësaj prokurorie.
Sipas njoftimit nga ky institucion, në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, dhe prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Veton Shabani, është diskutuar për avancimin e cilësisë së punës, sfidat me të cilat përballen prokurorët dhe forcimin e llogaridhënies institucionale.
Gjatë takimit, Gashi i ka njoftuar prokurorët edhe për funksionimin e Mekanizmit Mbikëqyrës të Punës së Prokurorit të Shtetit dhe Mekanizmit për Mbrojtjen e Integritetit të Prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare.
Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe caktimi i prokurorëve mbikëqyrës nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për prokuroritë në vend, përfshirë edhe atë në Ferizaj.
Kryeprokurori Gashi u ka kërkuar prokurorëve që të gjitha rastet penale t’i trajtojnë me profesionalizëm dhe kujdes të shtuar, duke veçuar veçanërisht rastet e dhunës në familje.
Ai ka theksuar rëndësinë e trajtimit të përgjegjshëm të këtyre rasteve, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.
