Lajme

Kryesia e Kuvendit mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2027 dhe disa çështje të rëndësishme

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, në të cilën pritet të shqyrtohet propozimi për rendin e ditës të seancës së ardhshme plenare.

Sipas agjendës së publikuar nga Kuvendi, mbledhja do të nisë në orën 15:00, ndërsa një nga çështjet kryesore që pritet të procedohet është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.

Përveç buxhetit, në rendin e ditës janë përfshirë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Anëtarët e Kryesisë pritet të diskutojnë gjithashtu për procedimin e nismave legjislative të qytetarëve, emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Një tjetër pikë e paraparë në agjendë është rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Po ashtu, Kryesia do të shqyrtojë edhe propozimin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor, i cili lidhet me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Pas shqyrtimit të këtyre çështjeve, pritet të përcaktohet edhe përbërja e rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare të Kuvendit.

Të Ngjashme