Këngëtarja Blerina Matraku ka ndarë një tjetër moment personal gjatë intervistës së saj në emisionin “Goca dhe Gra”, ku foli për pasojat që publikimi i videove private me kompozitorin Adrian Hila ka sjellë në jetën e saj.
Pasi tregoi për marrëdhënien profesionale me Hilën dhe vështirësitë emocionale që po përjeton, këngëtarja u pyet nga Ori Nebijaj për një nga momentet më të vështira: përballjen me prindërit dhe familjarët pas ngjarjes.
“Si ishte përballja me familjen, babain, nënën, familjarët e tu?”, e pyeti Ori.
Përgjigjja e Blerinës zbuloi se, pavarësisht situatës së krijuar, ajo kishte gjetur mirëkuptim dhe mbështetje te prindërit.
“Po ç’mund të të them unë për një baba që më thotë: ‘Ku ishe këto ditë ti? Hajde çohemi, pimë kafe’. Ç’mund të them unë për një baba që nuk duhet t’i vinte kurrsesi faj vajzës së vet, për një nënë që thotë: ‘Do kalojë edhe kjo, të keqen mami’”, u shpreh këngëtarja.
Ky rrëfim vjen pasi Matraku kishte treguar më herët në rrjetet sociale se publikimi i pamjeve e kishte vendosur në një gjendje të rënduar emocionale, deri në atë pikë sa ishte larguar nga shtëpia dhe e kishte të vështirë të përballej me të atin.
Megjithatë, nga deklarata e saj e fundit kuptohet se prindërit kanë zgjedhur t’i qëndrojnë pranë, pa e rënduar më tej situatën me gjykime apo fajësime.
Gjatë së njëjtës intervistë, Blerina foli edhe për bashkëpunimin me Adrian Hilën, duke deklaruar se i kishte paguar 10 mijë euro për realizimin e një albumi dhe se nuk i kishte asnjë detyrim financiar kompozitorit.
Por momenti i përballjes me familjen solli një tjetër anë të historisë së saj, duke treguar se, mes gjithë reagimeve dhe kritikave publike, mbështetja e prindërve ka qenë një nga gjërat që e kanë ndihmuar të përballojë këtë periudhë.
