Këngëtarja Blerina Matraku ka folur në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, duke treguar për herë të parë në një intervistë televizive versionin e saj për ngjarjet që e kanë vendosur në qendër të vëmendjes pas publikimit të videove private të lidhura me kompozitorin Adrian Hila.
Gjatë rrëfimit, Matraku u ndal te marrëdhënia e saj profesionale me kompozitorin, duke theksuar se çdo projekt muzikor është paguar dhe se bashkëpunimi mes tyre nuk ka qenë i bazuar në favore.
Sipas këngëtares, njohja profesionale me Hilën nisi në vitin 2007, kur ajo e kërkoi për disa muaj me radhë për të realizuar një album, për shkak të reputacionit që ai kishte në industrinë muzikore.
“Mund të them që kompozitorin Adi Hilën e kam kërkuar me muaj me radhë për të bashkëpunuar, në sajë të profesionalizmit dhe seriozitetit që ai kishte, për emrin që kishte si kompozitor, në vitin 2007”, tregoi ajo.
Matraku zbuloi se për realizimin e albumit kishte paguar 10 mijë euro, një shumë që, sipas saj, e kishte siguruar përmes kursimeve nga puna në dasma, evente dhe si stjuardesë, por edhe me ndihmën e miqve.
“I kërkova një album dhe e pagova me 10 mijë euro, për të cilat unë ato lekë i kam kursyer me eventet, dasmat dhe punë si stjuardesë që bëja në atë kohë. Më kanë ndihmuar edhe miq të mi, sepse ishin shumë lekë për mua”, u shpreh këngëtarja.
Ajo këmbënguli se nuk ka pasur asnjë detyrim financiar ndaj kompozitorit për këngët e realizuara gjatë bashkëpunimit të tyre.
“Nuk i kam absolutisht asnjë lloj borxhi ndaj këngëve të mia dhe as nuk më ka”, deklaroi Matraku, duke shtuar se bashkëpunimi profesional mes tyre kishte zgjatur rreth katër vite.
Por përtej anës profesionale, këngëtarja foli edhe për gjendjen e saj pas publikimit të materialeve private, duke treguar se po përjeton një periudhë jashtëzakonisht të vështirë.
“Ke përballë vetes një person të vdekur që po frymon, e kryqëzuar. Sot jam këtu për të thënë të vërtetën time, për të mbajtur peshën që më takon dhe për të ndarë me ju një pjesë të historisë”, tha ajo.
Matraku pranoi se ka përgjegjësinë e saj për vendimet personale, por kërkoi që publiku të mos nxjerrë përfundime vetëm nga materialet që kanë qarkulluar në internet.
“Ne të gjithë bëjmë gabime, ose na ngelet një situatë në dorë që ngelem fajtor edhe nëse nuk jemi. Unë jam gati që të mos dalë asgjë tjetër dhe të mbroj vetëm timen, gjërat nuk janë ashtu siç duken”, u shpreh këngëtarja.
Sa i përket raportit personal me Adrian Hilën, ajo pranoi se e kishte të vështirë të fliste për këtë pjesë të historisë, duke kujtuar se njohja e tyre kishte nisur nga një bashkëpunim i gjatë profesional.
Rrëfimi i saj vjen pas reagimeve të mëparshme në rrjetet sociale, ku Matraku kishte kërkuar ndjesë për situatën e krijuar, kishte folur për pasojat në familjen e saj dhe kishte kërkuar ndërprerjen e shpërndarjes së videove private.
