Lajme

Kur do të merren pagesat e reja për personat me aftësi të kufizuara? Pas miratimit të VKM-së, Shërbimi Social jep sqarimin

Shërbimi Social Shtetëror ka dalë me një sqarim për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, të miratuar më 22 korrik, që parashikon ndryshime në përfitimet për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmësit e tyre personalë.

Sipas institucionit, edhe pse vendimi është miratuar më 22 korrik, ai hyn në fuqi me efekt financiar nga 1 korriku 2026. Kjo do të thotë se duke nisur nga 1 gushti, përfituesit do të marrin pagesën sipas vlerave të reja, së bashku me diferencën që u takon për muajin korrik.

“Shërbimi Social Shtetëror informon qytetarët se aktet për ndryshimet që lidhen me përfitimet e personave me aftësi të kufizuara dhe ndihmësve të tyre personalë janë miratuar në datë 22 Korrik 2026 me Vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që këto ndryshime hyjnë në fuqi me efekt financiar nga 1 korriku 2026. Për këtë arsye, Shërbimi Social Shtetëror siguron të gjithë përfituesit se asnjë e drejtë e fituar nuk do të cenohet dhe çdo përfitim do të zbatohet sipas përcaktimeve të vendimit, çka do të thotë se duke filluar nga 1 gushti 2026 përfituesit do të marrin pagesën sipas vlerave të reja, së bashku me diferencën që u përket për muajin korrik. Shërbimi Social Shtetëror falenderon çdo përfitues për mirëkuptimin dhe ju siguron se zbatimi i këtij vendimi do të kryhet në mënyrë të plotë, duke garantuar respektimin e të drejtave për çdo qytetar”-, thuhet në sqarim.

Më 22 korrik Këshilli i Ministrave miratoi një paketë të re masash sociale për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmësit e tyre personalë.

Paketa parashikon dyfishimin e pagesës për mbi 10 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, njohjen e periudhës së shërbimit si vite kontributi për rreth 14 mijë e 600 ndihmës personalë, si edhe lehtësimin e procedurave të KEMP-it për rastet kur përfitimi është shumëvjeçar. Efektet financiare nisin nga 1 korriku 2026, ndërsa kostoja e paketës për këtë vit llogaritet në mbi 15 milionë euro.

Të Ngjashme