Lajme

Kurti: Apetiti i LDK-së për postin e presidentit në shpërputhje me rezultatin zgjedhor

Kryeministri në detyrë dhe kreytari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, tha se marrëveshja politike duhet të ndërtohet mbi vullnetin e shprehur nga qytetarët në zgjedhje, duke vlerësuar se kërkesat e LDK-së për postin e presidentit nuk përputhen me rezultatin zgjedhor.

“Ajo çfarë nga ne kërkohet është marrëveshje politike mbi vullnetin e popullit, mbi vullnetin demokratik. Pra, pikënisja jonë është vullneti demokratik. Nuk do të duhej që me marrëveshje politike të bëhej balancë demokratike, sepse balanca demokratike është tashmë e normuar brenda kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës. Në këtë situatë, ku kemi ambicie dhe apetit që LDK-ja ta ketë presidentin, ju e dini se për të kandiduar për president duhen 30 nënshkrime, ndërsa për t’u zgjedhur duhen 61 vota. Ka një shpërputhje të madhe midis rezultatit përkatës dhe ambicieve konkrete dhe ky është problemi i mosarritjes së marrëveshjes deri tani”, tha Kurti.

Ai tha se preferenca e parë mbetet një president konsensual, por nëse kjo nuk arrihet, atëherë presidenti duhet të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Por tash, natyrisht që preferenca jonë e parë është presidenti konsensual. Por nëse nuk ka president konsensual, edhe nëse vijmë tek presidenti partiak, atëherë është Lëvizja Vetëvendosje. Parti për parti jemi ne. Sepse ne i kemi 53 deputetë e tre të tjerë së bashku: PDK 22 deputetë, LDK 18 dhe AAK 7, gjithsej bëjnë 47. Pra ne 53, ata 47”, u shpreh ai.

Kurti përsëriti thirrjen që të mos zgjidhet një president partiak, por një figurë që gëzon mbështetje të gjerë.

“Unë po them: Le të mos zgjedhim president partiak. Le të shkojmë me një figurë akademike, profesionist të dëshmuar, me vlera, me kontribute, me merita shoqërore e kombëtare në vendin tonë. Unë besoj që ka dhjetëra të tillë së paku. Një dyzinë sosh unë mund t’ju ia përmend edhe sot këtu”, tha Kurti.

Të Ngjashme