Lajme

Avdullah Hoti kërkon nga Presidentja të mos e dekretojë Bashkim Nurbojën në BQK

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka përgatitur një kërkesë drejtuar Presidentes së Kosovës, me të cilën kërkon që Bashkim Nurboja të mos dekretohet si anëtar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Hoti ka bërë të ditur se kërkesa bazohet në argumente kushtetuese dhe ligjore, me qëllim të mbrojtjes së pavarësisë dhe integritetit të BQK-së.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta nënshkruajnë kërkesën deri nesër në orën 11:00, në mënyrë që ajo t’i përcillet Presidentes.

“Kjo nuk është çështje partie. Është çështje e pavarësisë së BQK-së dhe respektimit të Kushtetutës”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë:

Për shkak të urgjencës së çështjes, kam përgatitur kërkesën për Presidentes së Republikës së Kosovës që të mos dekretohet z. Bashkim Nurboja si anëtar i Bordit të BQK-së.

Kërkesa, e bazuar në argumentet kushtetuese dhe ligjore të paraqitura në letrën drejtuar Presidentes, synon mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Ftoj deputetët ta nënshkruajnë kërkesën nesër deri në orën 11:00, në mënyrë që ajo t’i përcillet Presidentes.

Kjo nuk është çështje partie. Është çështje e pavarësisë së BQK-së dhe respektimit të Kushtetutës.

Të Ngjashme