Lajme

​Kurti: Bashkëinvestim në Trepçë me një koorporatë minerale ndërkombëtare

Kryeministri në detyrë dhe kandidati i Vetëvendosjes për këtë post në zgjedhjet e 7 qershorit , Albin Kurti, tha se Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të ruajë mbështetjen qytetare, teksa ka akuzuar kundërshtarët politikë për bllokada dhe kriza artificiale.

Në një tubim në Mitrovicë, Kurti tha se VV-ja ka dalë e para në pesë procese zgjedhore brenda gjashtë viteve e gjysmë. Sipas tij, kjo është arsyeja pse ish-opozita po e dërgon shtetin në zgjedhje.

“Nga vjeshta e vitit 2019, deri në pranverën e 2026, për gjashtë vite e gjysmë, pesë herë zgjedhje vetëm pse Lëvizja vetëvendosje po del e para, nuk ka ndodhur në historinë e kësaj republike, nuk ka një shembull të ngjashëm në rajon ose Evropë. E të përballet me kriza artificiale e bllokada partiake po normalisht kanë mbetur pa terminale doganore që i patën privatizuar. Po i frikësohen edhe Byrosë të konfiskimit të pasurisë se pajustifikueshme. Ajo që nuk është e jotja nuk bëhet e jotja. Ajo që është e shtetit nuk bëhet e jotja. Kjo fushatë do të jetë edhe nje dëshmi që ne nuk dorëzohemi e qytetarët nuk lodhën”, tha Kurti.

Ai shpalosi edhe projektet që, sipas tij, do të realizohen në mandatin e ardhshëm, duke veçuar investimet në Trepçë, sektorin e energjisë dhe trashëgiminë kulturore.

“Mandati i ardhshëm do të jetë mandat i bashkëinvestimit në Trepçë me një koorporatë minerale ndërkombëtare, teknologji moderne. 50 milionë euro do të investojmë në skanimin e burimeve tona natyrore dhe futjen e tyre në funksion.

Do ta rindërtojmë xhaminë e Ibrit dhe garantojmë mbështetjen financiare. Tashmë e kemi nënshkruar bashkëpunimin dhe ai vend do të ketë po ashtu edhe muze me rëndësi historike përveç aspektit shpirtëror të besimit. Ajo është e rëndësishme si trashëgimi për brezat e ardhshëm. Kriminelët armiqësorë më 2 maj 1999 na e dogjën xhaminë, e cila është e vjetër dy shekuj e gjysmë. Ata na shkaktuan dëm, humbje e vuajtje, mirëpo me rindërtimin e saj do ta vërtetojmë se kriminelët humbin e Mitrovica e populli fiton. Do bëjmë gazifikimin e qymyrit dhe për këtë do të bashkëpunojmë edhe me kompani ndërkombëtare e ekspertë”, tha ai.

Kurti foli edhe për projektet energjetike dhe infrastrukturore, duke përmendur investime në kapacitetet e energjisë së erës dhe diellit, rehabilitimin e termocentraleve, si dhe investime në Mitrovicë.

“Ekonomia jonë ka nevojë për më shumë energji e kemi edhe burimet dhe planet tona. Do të investojmë bashkë me Shqipërinë më terminalin e gazit në Vlorë. Kemi në proces të arrijmë për pak vite 305 mgë kapacitet me erë dhe 250 kapacitet me diell. Termocentralit Kosova B i shtohen 120 mgë e Kosova a 160 mgë nga rehabilitimi…Renovimi i stadiumit, ndërtimi i spitalit në Mitrovicë. Rregullimi i shtratit të lumenjve, sistemi i ujitjes për tokë bujqësore. Tre milionë euro për rrugët në fshatra. Shala e Bajgorës do të ketë më në fund fokusin që ka pasur. Sot i inauguruam punimet për projektin zhvillimor mbi Ibër ku përfshihet ura e re për rivitalizimin e gjithë zonës përreth”, shtoi Kurti.

 

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, u shpreh i bindur për fitore në zgjedhjet e ardhshme.

 

 

Të Ngjashme