Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në një prezencë të përhershme ushtarake në Republikën e Kosovës.
Kurti e ka ritheksuar këtë qëndrim të Qeverisë të martën, pas takimit me senatoren amerikane Joni Ernst, të cilën e priti në Zyrën e Kryeministrit në Prishtinë.
Sipas Kurtit, një prezencë e përhershme ushtarake amerikane në Kosovë do të shërbente si garantuese e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe si bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore.
“Me senatoren Ernst biseduam për progresin e dukshëm që Kosova ka shënuar në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë. Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në prezencë të përhershme ushtarake në Republikën tonë. Një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon, si dhe një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se me senatoren amerikane ka diskutuar edhe për zhvillimet politike në Kosovë, si dhe për rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve me partitë politike parlamentare me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.
Ai gjithashtu e ka falënderuar Ernstin për, siç ka thënë, mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./teve1.info/
