Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rëndësinë e shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 12 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se aktivitetet nisën me programin “Zëri yt, e ardhmja jonë”, para Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, ndërsa më pas vazhduan në Zyrën e Kryeministrit, ku u lansua raporti “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”.
Ai ka theksuar se shëndeti mendor nuk duhet të shihet si përgjegjësi vetëm e një ministrie apo sektori, por si përgjegjësi e gjithë shoqërisë.
“Shëndeti mendor nuk është përgjegjësi vetëm e një ministrie, e as e vetëm një sektori, por e gjithë shoqërisë pa dallim”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, investimi në mirëqenien emocionale të fëmijëve është i domosdoshëm për ndërtimin e kapitalit njerëzor.
“Nuk mund të ndërtojmë kapital të fortë njerëzor pa investuar në mirëqenien emocionale të fëmijëve”, ka theksuar ai.
Kurti ka thënë se shoqëria nuk mund t’u kërkojë të rinjve të mësojnë, të krijojnë, të punojnë dhe të kontribuojnë në ndërtimin e së ardhmes, nëse nuk u siguron mjedisin dhe mbështetjen e nevojshme.
Ai ka vlerësuar se të rinjtë dhe të rejat, përveçse janë e ardhmja e Republikës, janë edhe pjesë e rëndësishme e së tashmes.
“Mbështetje, qasje e barabartë dhe arsim cilësor, sikurse edhe hapësira e aktivitete kulturore e sportive, është udhërrëfyesi i qeverisjes sonë me rininë në qendër”, ka shkruar Kurti.
