Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot martirët dhe dëshmorët e luftës çlirimtare në Drenicë, duke theksuar rëndësinë historike të sakrificës së tyre për lirinë e vendit.
Në një shkrim të publikuar, Kurti bëri të ditur se dje u nderua kujtimi i të rënëve nga Shtutica, Vërboci, Gllobari dhe Baksi, duke vënë në pah se sakrifica e tyre mbetet pjesë e pandashme e historisë së Kosovës.
Në 27-vjetorin e rënies së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, u vendosën lule te varri i tij.
Kurti e cilësoi Kodrën si një nga komandantët më të shquar të UÇK-së, duke theksuar se “emri dhe vepra e tij janë të skalitura përgjithmonë në historinë tonë kombëtare”.
Postim i plotë:
Në Drenicë, dje nderuam kujtimin e martirëve dhe dëshmorëve të luftës sonë çlirimtare nga Shtutica, Vërboci, Gllobari dhe Baksi.
Në 27-vjetorin e rënies heroike, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, vendosëm lule te varri i njërit prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra. Emri dhe vepra e tij janë të skalitura përgjithmonë në historinë tonë kombëtare.
Republika e Kosovës, sovrane dhe demokratike, e orientuar drejt BE-së dhe NATO-s, është ngritur me qendresën e sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve, dhe qëndron e fortë mbi këtë themel të palëkundur.
