Lajme

Kurti në Jerevan: Anëtarësimi në BE e NATO, kyç për stabilitetin e rajonit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e tetë të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan, ku ka qenë i angazhuar në dy panele diskutimi për luftën kundër drogës dhe forcimin e rezistencës demokratike ndaj kërcënimeve hibride.

Gjatë samitit, Kurti ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas, si dhe kryeministra dhe liderë të tjerë evropianë dhe ndërkombëtarë.

Ai ka theksuar përkushtimin e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke e cilësuar këtë proces si të domosdoshëm për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit dhe rajonit. Po ashtu, është theksuar rëndësia e njohjes së Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë bërë dhe avancimi i saj drejt statusit të vendit kandidat për BE.

“Republika e Kosovës është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj drejt antarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si një domosdoshmëri por edhe si garancia më e mirë për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon në njërën anë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në anën tjetër”.

“Njohja e Republikës së Kosovës, e cila është e rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, nga vendet që ende hezitojnë ta bëjnë këtë dhe avancimi i statusit në shtet kandidat për anëtarësim janë hapat që duhet t’i paraprijnë një procesi të bazuar në merita”, ka thënë Kurti.

Të Ngjashme