Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar të premten pritjen tradicionale për zyrtarët publikë të Zyrës së Kryeministrit në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, ku i ka falënderuar ata për angazhimin dhe kontributin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe shtetit.
Gjatë fjalës së tij, Kurti ka theksuar se institucionet vazhdojnë punën pavarësisht sfidave politike dhe procedurale, duke vlerësuar progresin në fusha të ndryshme si ekonomia, kultura, arsimi, shëndetësia, infrastruktura, mjedisi dhe sporti.
Ai ka uruar gjithashtu zyrtarët publikë me rastin e Ditës së Shërbimit Publik, duke theksuar se politika dhe administrata duhet të jenë në funksion të qytetarëve përmes një shërbimi efikas dhe demokratik.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti vuri theks të veçantë te rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe punonjësve publikë, duke i inkurajuar ata që të ndajnë njohuritë, përvojat dhe zgjidhjet për sfidat e përbashkëta.
Sipas tij, fokusi i administratës duhet të mbetet puna dhe shërbimi ndaj qytetarëve, ndërsa komunikimi dhe koordinimi mes ekipeve janë thelbësore për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike.
Në fund të takimit, Kurti u ka dëshiruar zyrtarëve punë të mbarë dhe pushime të këndshme gjatë sezonit veror./teve1.info/
