Lajme

Kurti: Paga minimale u rrit në 500 euro, përfitojnë 150 mijë punëtorë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në Kongresin e 9-të Zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ku tha se punëtorët mbeten shtylla kryesore e zhvillimit të vendit dhe se politikat e Qeverisë janë të orientuara drejt ndërtimit të një tregu pune më të drejtë.

Duke folur para të pranishmëve, Kurti u ndal te paga minimale, duke theksuar se për më shumë se një dekadë ajo kishte mbetur e pandryshuar.

“Që nga viti 2011, paga minimale ka qëndruar në nivelet 130 euro dhe 170 euro, varësisht nga mosha e punëtorit, përkatësisht a je më shumë apo më pak sesa 35 vjeç. Kjo periudhë e gjatë stagnimi ka krijuar vështirësi të rënda për punëtorët e sektorit privat”, tha Kurti.

Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij paga minimale është rritur në disa faza.
“Ndërkaq, tash paga minimale është ngritur, sepse ajo është rritur gradualisht dhe vazhdimisht: nga 130 euro dhe 170 euro, fillimisht gjatë qeverisjes tonë 250 euro, më pas në 350 euro, pastaj në 425 euro, e nga 1 korriku sivjet, paga minimale është 500 euro bruto. Nga kjo rritje përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, kjo dëshmon se pas një dekade stagnimi është bërë trefishimi i pagës minimale.

“Kjo tregon qartë se, pas një dekade stagnimi, brenda një periudhe shumë më të shkurtër është bërë trefishimi i pagës minimale. Është një dëshmi e qartë se rritja ekonomike duhet të shoqërohet gjithmonë me rritje të mirëqenies së qytetarëve dhe me ngritje të gjendjes së punëtorëve”, deklaroi ai.

Kurti tha se një prioritet i Qeverisë mbetet forcimi i institucioneve që garantojnë zbatimin e ligjit të punës, duke përmendur se Inspektorati Qendror i Punës është duke u fuqizuar.

“Në këtë drejtim, Inspektorati Qendror i Punës është duke u fuqizuar. Vetëm pak javë më parë, në qershor 2026, është hapur konkursi për 39 inspektorë të rinj, prej të cilëve 24 për siguri dhe shëndet në punë dhe 15 për marrëdhënie pune”, tha ai.

Ai shtoi se paralelisht po punohet edhe në përmirësimin e kornizës ligjore në fushën e punës.

“Jemi duke punuar në përmirësimin e kornizës ligjore në fushën e punës, me synimin që ajo të garantojë përfaqësim më të drejtë të punëtorëve, zgjerim të dialogut social dhe një balancë më të qëndrueshme midis punëmarrësve dhe punëdhënësve”, deklaroi Kurti.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë tha se përmes Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës janë ngritur skema aktive të punësimit, përfshirë programin “Superpuna” dhe skema të tjera të mbështetjes për bizneset, me synim krijimin e vendeve të reja të punës dhe mbështetjen e punësimit të të rinjve, grave dhe kategorive të tjera që përballen me vështirësi në tregun e punës.

Të Ngjashme