Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar se në mandatin e ardhshëm Kosova synon të sigurojë statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimi Evropian.
Në mesazhin për Ditën e Evropës, Kurti tha se Kosova ka merituar prej kohësh këtë avancim, duke theksuar se vendi ka shënuar progres demokratik dhe ekonomik. Ai shtoi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është i domosdoshëm për paqe të qëndrueshme në Evropë.
“Ndërkohë, Kosova e jetoi shekullin e njëzetë ndryshe. Përveç dy luftërave botërore dhe luftërave të tmerrshme ballkanike, ne përjetuam edhe gjenocidin serb në fillim dhe në fund të tij. Për ne, projekti evropian mbeti një premtim i pambaruar paqeje deri në fund të shekullit. Pikërisht për këtë arsye, anëtarësimi në Bashkimin Evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor që duan të anëtarësohen nuk është thjesht çështje prosperiteti dhe mirëqenieje. Është domosdoshmëri për të siguruar paqen e qëndrueshme në Evropë”, ka shkruar ai në Facebook.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por mbetet ende pa statusin e vendit kandidat.
