Lajme

Kurti pret në takim komandantin Adem Shehi, e uron për dekoratën “Urdhri i Lirisë”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim oficerin e lartë në pension të Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë dhe ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Shehi, i cili më herët gjatë ditës u nderua me dekoratën “Urdhri i Lirisë” nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Në këtë takim, në Ditën e Çlirimit të Kosovës, Kurti e uroi Shehin për dekoratën dhe e falënderoi për kontributin e jashtëzakonshëm në luftën çlirimtare, nga stërvitjet e vullnetarëve deri tek angazhimi në vijën e frontit.

Gjatë luftës në Kosovë, në fshatin Farkë të Tiranës, Adem Shehi kishte stërvitur grupet e vullnetarëve, të cilët më pas iu bashkuan radhëve të UÇK-së.

Ndërkaq, më 1999 kishte lënë familjen duke u vendosur në frontin e luftës, si pjesë e Brigadës 153 “Hyzri Talla” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, ai po ashtu, kishte vazhduar të stërviste ushtarët në qendrën në fshatin Zllash të Prishtinës./teve1.info/

 

Të Ngjashme