Lajme

Kurti pritet në Armeni, Kulla: Foto historike që mund të çojë drejt njohjes së Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në një takim bilateral në Qeverinë e Armenisë nga kryeministri Nikol Pashinyan, gjatë një vizite zyrtare më 3 maj.

Ky takim dhe fotografia e përbashkët mes dy liderëve është komentuar edhe në emisionin “Matrix” në Tëvë1, ku eksperti i sigurisë Ilir Kulla e ka cilësuar atë si një moment me rëndësi diplomatike.

Sipas tij, kjo vizitë mund të ketë ndikim në raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Armenia, shtet i cili ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Kjo foto me kryeministrin Pashinyan është e rëndësishme, sepse vjen nga një vend që nuk e njeh Kosovën dhe ka një pozicion kompleks gjeopolitik. Në këtë kuptim, ajo mund të shihet si hap i vogël drejt afrimit diplomatik,” ka thënë Kulla.

Ai ka shtuar se takime të tilla kanë edhe dimension simbolik për Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të diplomacisë aktive.

“Kjo është një foto që tregon rëndësinë e diplomacisë dhe prezencës së Kosovës në vende të reja. Shpresojmë që në të ardhmen të shohim hapa konkretë si hapja e zyrave apo forma të tjera bashkëpunimi,” ka deklaruar ai.

Të Ngjashme