Lajme

Kurti pritet në parlamentin e Nordrhein-Westfalen, diskutohen mundësitë e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani

Në kuadër të vizitës zyrtare në Gjermani, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga përfaqësues të parlamentit të landit të Nordrhein-Westfalen.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, fillimisht, Kurti u prit nga zëdhënësi i Komitetit Kryesor nga SPD, Hartmut Ganzke, si dhe nga kryetari i Komitetit për Evropë dhe Çështje Ndërkombëtare, Stefan Engstfeld.

Më pas, ai ka zhvilluar takim edhe me shefin e Grupit Parlamentar të SPD-së, Jochen Ott.

Gjatë takimeve, kryeministri në detyrë ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.

Ai ka diskutuar gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e diplomacisë parlamentare.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe roli i mërgatës kosovare si urë lidhëse për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve.

Po ashtu, janë trajtuar çështje që lidhen me infrastrukturën dhe mobilitetin, me theks të veçantë rëndësinë e aeroporteve rajonale në zhvillimin ekonomik dhe lidhshmërinë ndërkufitare.

Arsimi ishte një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve, ku u përmendën mundësitë për zgjerimin e programeve të bursave dhe shkëmbimeve akademike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Kurti ka folur edhe për potencialin e bashkëpunimit në sektorin e energjisë, duke marrë parasysh rolin e Nordrhein-Westfalen si një nga rajonet kryesore industriale dhe energjetike në Gjermani.

Në fund të vizitës, kryeministri në detyrë Kurti është nderuar duke nënshkruar në Librin e Artë të parlamentit të Nordrhein-Westfalen, i cili është i rezervuar për mysafirët e rangut të lartë që vizitojnë këtë institucion./teve1.info/

Të Ngjashme