Lajme

Kurti sërish iu shkruan liderëve opozitarë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar mbrëmë sërish mesazhe liderëve të partive opozitare, me kërkesën për takim dhe arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për të shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

Burime të RTK-së brenda Qeverisë kanë bërë të ditur se Kurti gjatë ditës së djeshme u është drejtuar liderëve opozitarë përmes platformave telefonike, duke kërkuar një takim të përbashkët për të diskutuar situatën aktuale politike në vend.

Sipas burimeve, qëllimi i këtij takimi do të ishte shqyrtimi i mundësisë për arritjen e një marrëveshjeje politike, e cila do t’i hapte rrugë tejkalimit të ngërçit institucional dhe do të shmangte një proces të ri zgjedhor.

Kjo nuk është hera e parë që Kurti u drejtohet liderëve të partive opozitare me një kërkesë për takim dhe marrëveshje politike.

Megjithatë, deri tani nuk dihet nëse liderët opozitarë do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese dhe nëse do të zhvillohet një takim mes tyre.

Ndërkohë, situata politike është tensionuar edhe sot në Kuvend. Gjatë seancës, pati përplasje verbale mes deputetëve të opozitës dhe deputetëve të LVV-së, të cilët kanë qëndrime të kundërta lidhur me mënyrën e tejkalimit të krizës institucionale.

Opozita po kërkon që të mbahet seanca konstituive e Kuvendit dhe që procesi i konstituimit të përmbyllet, ndërsa përplasjet mes deputetëve kanë shoqëruar diskutimet për hapat e ardhshëm institucionalë.

Ngërçi rreth konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja ka zgjatur prej javësh, duke shtuar presionin politik për gjetjen e një zgjidhjeje.

Të Ngjashme