Lajme

Kurti: S’është në rregull që AAK-ja refuzon takimin me partinë fituese

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pasi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, refuzoi ftesën për një takim konsultativ.

Në një deklarim për media, Kurti tha se e konsideron të rëndësishme zhvillimin e një takimi me përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare, përfshirë AAK-në.

“Kur i kam mbledhur numrat e deputetëve – 53, 22 dhe 18 – nuk kam shtuar edhe shtatë deputetët e AAK-së, pasi kryetari i saj nuk e pa të arsyeshme të takohet me mua. Megjithatë, besoj se një takim i tillë është i rëndësishëm. Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve dhe, edhe nëse nuk do të jemi bashkë në qeveri, do të jemi bashkë në institucione. Në një kohë kur zhvillohen takime mes pothuajse të gjitha partive, nuk mendoj se është në rregull që një parti parlamentare si AAK-ja ta refuzojë takimin me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e partisë fituese. Prandaj po flas për 93 deputetë, e jo për 100”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se Vetëvendosje llogarit edhe në mbështetjen e partive të komuniteteve joshumicë, me të cilat ka bashkëqeverisur edhe në të kaluarën.

“Nuk kemi asnjë arsye të besojmë se bashkëpunimi me partitë e komuniteteve joshumicë nuk do të vazhdojë. Përveç 58 deputetëve të Vetëvendosjes, besojmë se kemi mbështetjen e shumicës në Kuvend, madje më shumë se 61 votat e nevojshme për formimin e institucioneve”, tha ai.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Kurti theksoi se përgjegjësia për formimin e qeverisë i takon partisë fituese, ndërsa zgjedhja e kreut të shtetit kërkon konsensus më të gjerë politik.

“Presidenti duhet të jetë një figurë konsensuale, jashtë përkatësive partiake, me integritet dhe vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale e qytetare. Vetëm në këtë mënyrë mund të përfaqësojë unitetin që kërkon Kushtetuta”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, fryma dhe germa e Kushtetutës kërkojnë bashkëpunim ndërmjet partive për zgjedhjen e presidentit. Ai bëri të ditur se tashmë kanë nisur konsultimet me PDK-në dhe LDK-në për të gjetur një zgjidhje politike që do të mundësonte konstituimin e plotë të institucioneve.

“Jemi të interesuar t’u japim kohë diskutimeve dhe konsultimeve, në mënyrë që legjislatura e 11-të të ketë jo vetëm kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin, por edhe presidentin”, tha Kurti.

Ndërkohë, takimi ndërmjet Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje politike.

Të Ngjashme