Lajme

Kurti takon kryeministrin e Finlandës, ZKM: Falënderim për mbështetjen dhe përkrahjen e fuqishme për anëtarësim në KiE

Në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian të mbajtur në Jerevan, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Finlandës, Petteri Orpo.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda i ka dhënë Kosovës në proceset integruese ndërkombëtare.

“E falënderoi homologun e tij për përkrahjen e fuqishme në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për mbështetjen drejt avancimit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e luftimit të dezinformimit, ku Kurti theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për funksionimin demokratik.

“Kryeministri në detyrë shprehu mirënjohje për ndihmën e Finlandës në luftimin e dezinformimit, duke e cilësuar atë si element kyç për mbrojtjen e hapësirës demokratike dhe informimit të saktë publik”, thuhet më tej.

Gjithashtu, në fokus të bisedës ishte edhe përvoja finlandeze në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, e cila u vlerësua si model i avancuar për përballimin e sfidave të sigurisë.

“Në takim u veçua përvoja e Finlandës në mbrojtjen gjithëpërfshirëse, si model i organizimit të shtetit dhe shoqërisë përballë sfidave të sigurisë, model që është miratuar edhe nga Qeveria e Kosovës”, theksohet në njoftim.

Në përmbyllje, të dy kryeministrat riafirmuan përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Të Ngjashme