Lajme

Kusari-Lila: Flora Brovina hapi rrugë atëherë kur dukej e pamundur

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar lart figurën dhe kontributin e Flora Brovinës, duke thënë se ajo krijoi dhe mishëroi modelin e gruas këmbëngulëse, profesioniste dhe atdhedashëse.

“Flora hapi rrugë atëherë kur dukej e pamundur të kishte udhë. Ajo krijoi dhe mishëroi modelin e gruas këmbëngulëse, profesioniste dhe atdhedashëse, që me qetësi, dinjitet dhe mençuri kontribuoi në jetën publike dhe në avancimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka bërë të ditur se sot, bashkë me bashkëpunëtorë nga Alternativa, ka bërë homazhe dhe i ka dhënë lamtumirën e fundit Brovinës.

“Angazhimin, punën, përkushtimin dhe vizionin e saj, Flora ia kushtoi Kosovës, popullit të saj dhe lirisë e pavarësisë sonë”, ka thënë Kusari-Lila.

“Sot, para arkëmortit të saj, u përkulëm me respekt dhe mirënjohje, të bindur se vepra dhe vizioni i Dr. Flora Brovinës do të jetojnë gjatë mes nesh dhe do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat që vijnë”, ka shkruar ajo.

Të Ngjashme