Lajme

Kusari-Lila priti delegacionin nga Omani, diskutohet thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe investimet e reja

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim një delegacion nga Omani, të udhëhequr nga Sheikh Abdulaziz bin Abdullah bin Zahir Al-Hinai, Ambasador i Posaçëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Omanit, së bashku me MaluLlah bin Mahmoud Al-Belushi, Ambasador i Omanit në Budapest, dhe Mohamed Abdullah Bathir Al-Kindi, Këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Omanit.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Omanit, me fokus në tërheqjen e investimeve të reja, inovacionin dhe krijimin e mundësive për bashkëpunim ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve. Delegacioni nga Omani shprehu gatishmërinë për të mbështetur këtë bashkëpunim, me synimin që diskutimet të konkretizohen në iniciativa të përbashkëta në të ardhmen.

Ministrja Kusari-Lila prezantoi gjithashtu mundësitë që ofron Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n për bizneset e Kosovës, veçanërisht në zgjerimin e eksporteve dhe qasjen në tregjet ndërkombëtare, përfshirë tregtinë e shërbimeve.

Në kuadër të zgjerimit të partneriteteve ekonomike, u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit me vendet mike të Lindjes së Mesme, përfshirë shtetet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), me synimin për të krijuar mundësi të reja për investime dhe zhvillimin e bizneseve të Kosovës.

Të Ngjashme