Lajme

Kusari-Lila: Subvencionet dhe grantet duhet të nxisin investimet, punësimin dhe eksportet

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se ka nisur procesi për rishikimin e Udhëzimit Administrativ (MTI) Nr. 01/2018, që rregullon ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria ekonomike e subvencioneve dhe transfereve.

Kusari-Lila bëri të ditur se në ambientet e ministrisë është zhvilluar takimi i parë i Grupit Punues, i cili synon të riformësojë mënyrën e ndarjes dhe menaxhimit të subvencioneve dhe granteve.

Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka prezantuar përpjekjet për avancimin e kornizës ligjore dhe përmirësimin e menaxhimit të kësaj kategorie buxhetore përmes Ligjit të ri për Menaxhimin e Financave Publike.

Sipas Kusari-Lilës, një prej objektivave kryesore të procesit është që mbështetja publike të shërbejë më shumë për mobilizimin e kapitalit privat dhe nxitjen e investimeve me ndikim në ekonomi.

“Diskutuam për rëndësinë e lidhjes së skemave të granteve me strategjitë e industrisë dhe tregtisë, thjeshtimin dhe automatizimin e aplikimit, përdorimin e kritereve objektive dhe inteligjencës artificiale në vlerësim”, ka deklaruar ajo.

Po ashtu, është diskutuar për përfshirjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe bankave komerciale, me synim orientimin e mbështetjes publike drejt investimeve që rrisin kapacitetet prodhuese, punësimin dhe eksportet.

Në Grupin Punues janë përfshirë përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe shoqatave të bizneseve.

Kusari-Lila ka bërë të ditur se puna e grupit do të intensifikohet gjatë javëve në vijim, ndërsa synohet që drafti të finalizohet brenda muajit shtator./teve1.info/

Të Ngjashme