Lajme

Kush ishte ‘shënjestra’? Policia parandaloi atentatin e “grupit të Kamzës”, dosjen pritet ta marrë në dorë SPAK-u!

Hetimet për të dyshuarit e vrasjes së Artan Myrtajt në Sarandë, i njohur si ‘Tani i Rruzhdiut’, duket se kanë zbuluar planin për një tjetër atentat në Lezhë, dyshohet me pagesë për larje hesapesh dhe hakmarrje.

Vrasja e planifikuar është parandaluar nga Policia e Lezhës, duke vënë në pranga tre persona në kuadër të operacionit të koduar “Detajet”.

Ka dyshime të forta se personat e arresruar i përlasin të njëjtit grup kriminal, i cili ekzekutoi edhe 44-vjeçarin Tanin e Rruzhdiut në Sarandë në 20 shtator 2026.

Dyshohet se bëhet fjalë për një prej grupeve më të rrezikshme dhe aktive kriminale në Kamëz, i fokusuar në krimet kundër jetës, kryesisht vrasje me pagesë dhe eliminim kundërshtarësh, rrëmbime, trafiqe, pastrim parash etj.

Sipas policisë, dy prej të arrestuarve lëviznin të armatosur dhe me skafandra me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, ndërsa personi i tretë i ndihmonte të largoheshin nga zona me automjet.

Elden Tarja, Kristian Ymeri (Shkambi) dhe Vinçesk Piroli u ndaluan në aksin “Gjadër-Barbullush”. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 3 pistoleta me krehra e fishekë, si dhe automjetin dhe motomjetin e përdorur në këtë rast.

Të arrestuarit janë të moshës 25, 34 dhe 38 vjeç. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, por me shumë gjasa dosja do t’i kalonë SPAK, pasi janë të gjithë elementët e ekzistencës së një grupi të strulturuar kriminal.

Aktualisht kontrolle të shumta po bëhen në disa qytete, përfshirë Shkodrën, Laçin dhe Kamzën. Kapja e tre personave vlerësohet me interes të madh për zbulimin dhe dokumentimin e veprimtarisë së plotë të grupit kriminal.

Të Ngjashme