Lajme

Lidhje të forta financiare me Ballukun, SPAK i sekuestron telefonin “Tan Leprit”

Një emër i vjetër dhe jo pak i përfolur i biznesit shqiptar duket se ka hyrë në lupën e SPAK.

Prokurorët e posaçëm kanë marrë në pyetje biznesmenin Dritan Avllaj, i njohur prej vitesh me nofkën “Tan Lepuri”, dhe i kanë sekuestruar telefonin celular.

Veprimi është kryer pasi gjatë verifikimit të komunikimeve të tjera hetuesit kanë hasur mesazhe që kanë ngritur interes për rolin dhe kontaktet e Avllajt.

Në këtë fazë nuk është e qartë në çfarë cilësie është pyetur Avllaj dhe as nëse SPAK ka ngritur ndonjë akuzë ndaj tij.

Sekuestrimi i telefonit nuk do të thotë automatikisht se biznesmeni ka kryer një vepër penale. Prokurorët kërkojnë të verifikojnë komunikimet dhe marrëdhëniet e tij në kuadër të hetimeve ku del edhe emri i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Pikërisht këtu historia bëhet më interesante. Sipas të njëjtave burime, SPAK po verifikon dyshimet nëse Avllaj ka luajtur rol ndërmjetësues në çështje që lidhen me kontrata, transaksione apo interesa të biznesmenëve të caktuar.

Pasi dyshohet se Avllaj ka përfituar, duke ndërmjetësuar një kontratë të paligjshme, ndaj kjo mbetet një pistë që duhet provuar ose rrëzuar nga hetimi i SPAK-ut.

Ajo që e bën emrin e Dritan Avllajt veçanërisht interesant është historia e tij. “Tan Lepuri” nuk është një emër i ri në debatin publik shqiptar.

Rreth 16 vjet më parë ai u vendos në qendër të një prej përplasjeve më të forta politike për lejet e ndërtimit në Tiranë, kur Edi Rama drejtonte Bashkinë.

Në gusht të vitit 2010, deputetja demokrate Albana Vokshi publikoi një kontratë ku Dritan Avllaj rezultonte me 20% të aksioneve në një marrëveshje biznesi.

Vokshi pretendonte publikisht se Avllaj ishte njeriu i afërt i Edi Ramës dhe se 20%-shi lidhej me sigurimin e një lejeje ndërtimi.

Akuza e saj ishte e drejtpërdrejtë: “Kompania ‘Vizion Construction’ është detyruar të fusë aksioner me 20% mikun e Edvin Ramës, Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri.”

Vokshi e paraqiste atëherë Avllajn si “sekser” të Ramës dhe ngrinte pyetjen se sa marrëveshje të tjera me “20%” mund të ekzistonin për lejet e ndërtimit në kryeqytet. Edhe PD e përdori gjerësisht këtë akuzë, duke e quajtur Ramën në atë kohë “Mister 20%-shi”.

Por kjo pjesë e historisë ka një detaj shumë të rëndësishëm që nuk mund të fshihet. Kur çështja shkoi në Prokurorinë e Tiranës, pretendimi politik nuk u provua si korrupsion. Ish-Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama deklaroi më vonë se ishte kryer një hetim i plotë dhe se personat e pyetur kishin deklaruar se Avllaj ishte futur në marrëveshje kundrejt investimit të tij.

Sipas Ina Ramës, vetë Vokshi kishte thënë në prokurori se përfundimi i saj për rolin e Avllajt si sekser i Ramës kishte qenë një “perceptim politik”.

Edhe dëshmitë e biznesmenëve të përfshirë e komplikuan akuzën. Rrahman Selmanllari deklaroi se kishte marrëdhënie biznesi me Avllajn, por nuk kishte dijeni për ryshfet apo ndërhyrje korruptive, ndërsa Arjan Tartari deklaroi se Avllaj nuk ishte futur me detyrim në marrëveshje.

Por historia e “Tan Lepurit” ka edhe një kapitull shumë më të errët. Dritan Avllaj i ka shpëtuar edhe atentateve, ndërsa një prej tyre, në mars të vitit 2011, mbeti për vite një enigmë për policinë dhe prokurorinë.

Mbrëmjen e 24 marsit 2011, pranë Tregut Elektrik në Tiranë, dy persona me skafandra dhe me motor iu afruan makinës ku ndodhej Avllaj dhe hapën zjarr.

Sipas rindërtimit të hetuesve të publikuar në atë kohë, drejt makinës u qëllua disa herë dhe Avllaj u godit në shpatull, por shpëtoi dhe doli jashtë rrezikut për jetën. Policia e klasifikoi ngjarjen si vrasje të mbetur në tentativë.

Edhe më interesante është ajo që u hetua më pas. Sipas raportimeve të kohës, një nga pistat lidhej me konflikte të mundshme në fushën e ndërtimit dhe lejet e ndërtimit në Tiranë. “Panorama” raportonte se grupi hetimor po verifikonte nëse atentati kishte lidhje me negociata për një leje ndërtimi.

Vetëm katër ditë më vonë shpërtheu edhe makina “Audi Q7” e biznesmenit Genti Sauku dhe hetuesit dyshuan në atë kohë se dy ngjarjet mund të kishin lidhje.

Këto mbetën pista hetimore dhe dyshime, jo përfundime gjyqësore të provuara.

Vetë Avllaj, kur u pyet pas atentatit, nuk u dha hetuesve një emër konkret. Deklarata e tij e raportuar në atë kohë ishte domethënëse: “Ata që mund të konsiderohen armiqtë e mi janë bërë publikë prej kohësh në media dhe ju i njihni të gjithë.”

Ai deklaroi se nuk dinte të kishte probleme me ndonjë person dhe se i takonte policisë të gjente autorët.

Por dosjet e policisë, sipas raportimeve të vitit 2011, shkonin edhe më pas në kohë. “Panorama” raportonte se Avllaj ishte plagosur lehtë në këmbë në një tjetër atentat në vitin 2001, pranë Piramidës në Tiranë.

Më 13 shkurt 2007, një sasi eksplozivi shpërtheu në korridoret e një lokali në pronësi të tij, përballë Prokurorisë së Përgjithshme, ngjarje që gjithashtu u konsiderua në atë kohë si atentat. Sipas të njëjtit raportim, Edi Rama ndodhej duke darkuar në restorant kur ndodhi shpërthimi i vitit 2007.

Kjo e bën edhe më interesante kthimin e emrit të Dritan Avllajt në vëmendje sot.

Dikur emri i tij lidhej publikisht me Ramën, me debatin për lejet e ndërtimit dhe “20%-shin”; ndërsa sot, SPAK po interesohet për komunikimet e tij dhe lidhjet e dyshuara me rrethin e Belinda Ballukut.

Dhe pyetja që lind është: çfarë kërkojnë prokurorët brenda tij?

Burimet thonë se interesi nuk lidhet me historinë e vitit 2010, por me komunikime shumë më të fundit dhe me dyshimet për marrëdhëniet e Avllajt me rrethin e Belinda Ballukut.

Nëse kjo pistë konfirmohet, telefoni mund të ndihmojë hetuesit të rindërtojnë jo vetëm komunikimet, por edhe kontaktet, dokumentet dhe lidhjet mes personave që janë duke u verifikuar.

Ka edhe një pjesë tjetër të historisë së Avllajt që prej vitesh qarkullon në Tiranë: lidhjet e tij të hershme me biznesmenë të fuqishëm, aktivitetet pas viteve ’90 dhe më pas kontaktet në Kosovë.

Avllaj, që në rini, mund të ketë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, se më pas ka qenë pranë biznesmenit Hajdin Sejdia dhe se pas luftës së Kosovës ka zhvilluar marrëdhënie biznesi me njerëz të afërt me Hashim Thaçin.

Tani historia ka marrë një kthesë tjetër.

Për sekuestrimin e telefonit konfirmohet zyrtarisht, pajisja e Dritan Avllajt mund të kthehet në një pjesë të rëndësishme të hetimit, por jo domosdoshmërisht sepse Avllaj është objektivi kryesor.

Në hetime të kësaj natyre, telefoni i një personi mund të kërkohet edhe për të provuar komunikimet e personave të tjerë.

Për këtë arsye pyetjet mbeten të hapura: Çfarë mesazhesh gjeti SPAK? Me kë komunikonte “Tan Lepuri”?

Çfarë lidhjeje kanë këto komunikime me Ballukun?

A dalin emra biznesmenësh, kontrata apo ndërmjetësime?

Dhe mbi të gjitha, a do të prodhojë telefoni prova penale apo hetimi do t’i rrëzojë dyshimet?

Për momentin, një gjë është e qartë: një personazh që dikur u vendos në qendër të betejës politike për “20%-shin” e Tiranës është rikthyer në vëmendjen e drejtësisë./MaShqip

Të Ngjashme