Lajme

Kush ka të drejtë për mandatet? Haradinaj thotë “janë djegur”, juristët sqarojnë situatën

Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mandatet e deputetëve tashmë janë “djegur”, duke e konsideruar jokushtetuese çdo veprim të tyre, përfshirë pjesëmarrjen në seancën e paralajmëruar për 9 shtator.

Haradinaj ka thënë Vetëvendosje, si parti fituese, nuk ka arritur ta konstituojë Kuvendin dhe, sipas tij, për këtë arsye mandatet e deputetëve kanë humbur vlefshmërinë.

“Partia fituese që nuk e ka konstitu Kuvendin, mandatet e deputetëve janë djegur, shpenzimet në zgjedhje janë djegë…”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se deputetët nuk mund të marrin pjesë në një seancë për të cilën, sipas tij, nuk ekziston më bazë kushtetuese.

“Ne nuk jemi deputetë, unë s’kam mandat më. Me shku në një seancë pa mandat kushtetues nuk lejohet”, ka thënë Haradinaj.

Bujrani: Nëse dërgohet në gjykatë, atëherë mbetet fati i këtyre institucioneve në duart e gjyqtarëve

Image
Blerim Burjani

Ndryshe nga Haradinaj, juristi dhe njohësi i drejtësisë, Blerim Burjani, ka thënë se mandati i deputetëve ende është në fuqi.

Burjani ka theksuar se çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese nëse rasti dërgohet nga palët e legjitimuara, duke paralajmëruar se atëherë mund të vihet në pikëpyetje ligjshmëria e procesit.

Ai shtoi se dërgimi i rastit në Kushtetuese mund të sjellë pasoja për institucionet. 

“Po!

Por, tash është procesi, kush e qon në Gjykatë Kushtetuese rastin? 

Nëse dërgohet në gjykatë nga palët e legjitimuara me kushtet për të ngreh rastin në gjykatë, atëherë rreziku është procesi me u shpall i paligjshëm, por kësaj gjykate nuk i besohet edhe aq, se gjyqtarët e saj janë disa parti të votuar aty, pra për këtë opozitë, kjo gjykatë asnjëherë nuk është e pavarur dhe profesionale, por deputetë me marrëveshje kanë votuar disa njerëz që kanë pasur petk partiak.

Pra, pasojat janë:

Nëse dërgohet në gjykatë, atëherë mbetet fati i këtyre institucioneve në duart e gjyqtarëve të dikurshëm, të përkrahur nga partitë politike.

Pra, me rëndësi është që të mos dërgohet rasti në gjykatë se atëherë përfundon çdo gjë”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Bajraktari: Kushtetuesja nuk e ka sqaruar cila është pasoja në rast të mos zbatimit të këtij afati

Image
Ardian Bajraktari

Kurse, Ardian Bajraktari ka thënë se Kushtetuesja e ka përcaktuar afatin prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, por nuk ka sqaruar se çfarë pasoje sjell mosrespektimi i këtij afati.

“Siç dihet tashmë, seanca konsituive, përkatësisht konstituimi i Kuvendit do të duhej me ndodhë brenda afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, për faktin se këtë afat e ka vendosur Gjykata Kushtetuese duke e interpretuar nenin 66, paragrafi 1 të Kushtetutës. 

Mirëpo njëra prej mangësive në interpretimet e viteve të fundit të Gjykatës Kushtetuese ka qenë fakti se e ka vendosë afatin 30 ditorë, por nuk ka vendosë sanksion, përkatësisht cila është pasoja në rast të mos zbatimit të këtij afati”, tha ai për “Bota sot”.

Bajraktari ka theksuar se në rrethanat aktuale ka shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. 

Sipas tij, pasojat e mosrespektimit të afatit 30-ditor mund të përcaktohen vetëm nëse çështja dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“Në rrethana aktuale, kemi shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rrjedhimisht të vet Kushtetutës, e po ashtu edhe të Rregullores së Kuvendit, si akt, që e materializon Kushtetutën, dhe që ka bazë të drejtpërdrejtë në Kushtetutë. 

Por, se cilat janë pasojat e mos zbatimit të këtij afati, kjo do të mund të qartësohet vetëm nëse palët e autorizuara e adreson çështjen në Gjykatën Kushtetuese” – përfundoi ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme