Disa ditë më parë, Kuvendi i Komunës së Zetës në Mal të Zi miratoi një deklaratë me të cilën u kërkua simbolikisht shfuqizimi i vendimit për njohjen e Kosovës.
Sipas RTCG, media malazeze, këshilltarët lokalë e kanë votuar këtë akt si qëndrim politik ndaj vendimeve të mëparshme shtetërore, duke pretenduar se nuk është marrë parasysh vullneti i një pjese të qytetarëve.
Në deklaratë përmendet edhe situata e serbëve dhe malazezëve në Kosovë, të cilën e vlerësojnë si të përkeqësuar.
Megjithatë, vendime për njohjen e shteteve i takojnë nivelit shtetëror. Mali i Zi e ka njohur Kosovën më 9 tetor 2008.
Koci: Krahu proserb është i nxitur nga Beogradi për të bërë veprime të tilla kundër Kosovës.
Analisti politik, Melzaim Koci ka deklaruar se vendimi i Kuvendit Komunal të Zetës për anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës “është baras me zero”, pasi komunat nuk kanë kompetenca në politikën e jashtme.
Sipas tij, ky veprim lidhet më shumë me përplasjet mes rrymave proserbe dhe proevropiane në Mali i Zi dhe nuk do të ndikojë në raportet mes dy shteteve.

Analisti politik, Melzaim Koci
“Deklarata e Kuvendit Komunal të Zetës për anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës është baras me zero. Është një komunë që udhëhiqet nga pjesa proserbe e politikës malaziase. Ajo është më shumë në funksion të betejës së brendshme ndërmjet rrymës proserbe dhe proevropiane në Mal të Zi.
Komunat nuk kanë asnjë ingerencë në politikat e jashtme të asnjë vendi. Rrjedhimisht, ky veprim nuk do të ketë asnjë pasojë për raportet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, thotë ai.
Sipas Kocit, në Mal të Zi po zhvillohet një përplasje mes krahut proserb dhe atij proevropian, ndërsa veprimet kundër Kosovës po nxiten nga Beogradi.
Megjithatë, ai vlerëson se Mali i Zi do të tregojë kujdes ndaj Kosovës për të mos rrezikuar integrimin në Bashkimin Evropian.
“Në periudhën e ardhshme do të ketë veprime të tilla dhe të ngjashme nga krahu proserb në Mal të Zi.
Atje tash sa kohë zhvillohet betejë e ashpër ndërmjet këtyre dy krahëve. Krahu proserb është i nxitur nga Beogradi për të bërë veprime të tilla kundër Kosovës.
Por Mali i Zi do të jetë i kujdesshëm në raport me Kosovën, sepse ndryshimi eventual i qëndrimit të tyre mund t’ua ngadalësojë integrimin në Bashkimin Evropian” – përfundon ai.
Mehmeti: Në aspektin diplomatik nuk pritet të ketë pasoja konkrete në marrëdhëniet shtetërore
Lidhur me këtë temë, foli edhe analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”.
Fillimisht, ai tha se deklarata e Kuvendit Komunal të Zetës është më shumë simbolike dhe politike, jo juridike, sepse komunat nuk kanë kompetencë për njohje ose mosnjohje shtetesh.

Faton Mehmeti
Megjithatë, ai paralajmëron se kjo lëvizje mund të krijojë tensione politike dhe të ushqejë narrativat nacionaliste, edhe pse nuk pritet të ketë pasoja diplomatike konkrete, por mund të dëmtojë klimën e marrëdhënieve Kosovë–Mal i Zi.
“Kjo deklaratë e Kuvendit Komunal të Zetës ka më shumë karakter politik dhe simbolik sesa efekt juridik, pasi njohja e shteteve është kompetencë ekskluzive e qeverive qendrore dhe jo e komunave. Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet që nga viti 2008 dhe një komunë nuk ka mandat kushtetues ta anulojë atë vendim. Megjithatë, pesha politike dhe mesazhi që përcillet nuk duhet nënvlerësuar.
Sa i përket raporteve Kosovë–Mal i Zi, kjo lëvizje mund të krijojë tensione të panevojshme politike dhe të ushqejë narrativat nacionaliste në rajon. Në aspektin diplomatik nuk pritet të ketë pasoja konkrete në marrëdhëniet shtetërore, por mund të ndikojë negativisht në klimën politike dhe në perceptimin publik mes dy vendeve, sidomos kur vjen në një kohë kur Ballkani ka nevojë për më shumë stabilitet dhe bashkëpunim rajonal”, vlerëson Mehmeti.
Në fund, thotë se Serbia mund ta përdorë këtë deklaratë për propagandë kundër Kosovës, duke e paraqitur si “dobësim të mbështetjes për njohjen e saj”.
Edhe pse nuk ka efekt juridik apo diplomatik real, ndikimi i saj mund të jetë vetëm propagandistik.
“Pa dyshim, Serbia mund ta përdorë këtë deklaratë në diskursin e saj kundër njohjes së Kosovës. Edhe pse juridikisht është e pavlefshme, Beogradi shpesh përdor deklarata të tilla për propagandë politike, duke tentuar të krijojë narrativën se “mbështetja për Kosovën po dobësohet” apo se “ka pakënaqësi edhe brenda vendeve që e kanë njohur”. Pra, efekti real mund të jetë më shumë propagandistik sesa diplomatik” – potencon ai për “Bota sot”.
