Një video e vjetër nga Forumi i Forbes për Gratë në vitin 2017 po bëhet sërish virale në rrjetet sociale, sidomos mes grave, për mesazhin e saj frymëzues mbi suksesin dhe fillimet e reja në çdo moshë.
Në atë fjalim, gjyqtarja e famshme amerikane Judith Sheindlin, e njohur në mbarë botën nga emisioni Judge Judy, dha një mesazh që po prek mijëra njerëz edhe sot.
“Nëse nuk ia dole në të 20-at, mund t’ia dalësh në të 30-at. Nëse nuk ia del në të 30-at, mund t’ia dalësh në të 40-at. Dhe nëse nuk ia del në të 40-at, mund t’ia dalësh në të 50-at. Nuk është kurrë vonë”, tha ajo.
Më pas, Sheindlin solli si shembull historinë e jashtëzakonshme të Grandma Moses, gruas që nisi të pikturonte në moshën 80-vjeçare dhe u kthye në një nga artistet më të famshme amerikane të shekullit të kaluar.
Emri i saj i vërtetë ishte Anna Mary Robertson Moses dhe lindi më 7 shtator 1860 në një fermë në shtetin e New York-ut, në një familje me 10 fëmijë. Jeta e saj nuk ishte aspak e lehtë. Ajo u martua në moshën 27-vjeçare me fermerin Thomas Salmon Moses dhe solli në jetë 10 fëmijë, por pesë prej tyre humbën jetën që në foshnjëri.
View this post on Instagram A post shared by Bonhams Skinner (@bonhamsskinner)
Për dekada me radhë, Anna jetoi një jetë të thjeshtë rurale, duke punuar në fermë dhe duke u kujdesur për familjen. Arti nuk ishte profesion, por vetëm një pasion i vogël që e shprehte përmes qëndisjeve dhe dekorimeve të shtëpisë.
Gjithçka ndryshoi kur, në moshën 78-vjeçare, ajo zhvilloi artrit dhe nuk mund të qëndiste më. Ishte motra e saj ajo që i sugjeroi të provonte pikturën si një alternativë më të lehtë. Dhe ky sugjerim i ndryshoi jetën.
Pak para se të mbushte 80 vjeç, Anna nisi të pikturonte me çfarëdo materialesh që kishte në shtëpi, bojëra muri, copa druri dhe kanavaca të vogla. Edhe pse ishte autodidakte dhe nuk ndiqte rregullat klasike të artit, pikturat e saj nisën të tërhiqnin vëmendje për mënyrën nostalgjike me të cilën përshkruanin jetën rurale amerikane.
Ajo pikturonte skena të thjeshta nga fermat, festat tradicionale, dimrat me dëborë dhe jetën familjare, duke shmangur qëllimisht elementët e industrializimit modern. Veprat e saj përcillnin ngrohtësi, kujtime dhe një Amerikë që shumë njerëz e ndienin se po zhdukej.
Talentit të saj iu dha vëmendje kur koleksionisti Louis J. Caldor zbuloi rastësisht pikturat dhe e ndihmoi të organizonte ekspozita profesionale. Brenda pak vitesh, “Grandma Moses” u kthye në një fenomen ndërkombëtar.
Në vitet 1950, ekspozitat e saj thyen rekorde vizitorësh dhe emri i saj u bë simbol i shpresës dhe i fillimeve të reja. Revista Life e vendosi në kopertinë për 100-vjetorin e saj, ndërsa shumë universitete dhe organizata e nderuan për kontributin në art dhe kulturë.
Ajo vazhdoi të pikturonte deri pak muaj para vdekjes së saj, në moshën 101-vjeçare, në vitin 1961.
Historianët e artit e konsiderojnë edhe sot si një ikonë kulturore dhe një simbol frymëzimi për gratë, amvisat, pensionistët dhe këdo që mendon se është “shumë vonë” për të nisur diçka të re.
Ndërsa thënia e saj më e famshme vazhdon të frymëzojë breza të tërë:
“Jeta është ajo që ne e krijojmë. Gjithmonë ka qenë. Gjithmonë do të jetë.”
