Lajme

​Ky është skenari i “Marshit për Liri” që do të mbahet në Prishtinë

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka bërë të ditur skenarin e mbarëvajtjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Sipas skenarit të dërguar nga platforma, moderator i aktivitetit do të jetë Berat Miftari, ndërsa programi do të nisë me një hapje artistike nga Arbnora Zogiani, e cila do të interpretojë këngën “Pa duvak s’ka me u ba nuse”.

Më pas, do të bëhet hapja zyrtare e marshit, ku Miftari do të ftojë në skenë dy përfaqësuesit e platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tashollin dhe Eliza Hoxhën.

Në kuadër të programit është paraparë edhe fjalimi i Hysni Gucatit, ndërsa do të flasë edhe Lirjona Sylejmani, vajza e dëshmorit të kombit, Bajram Sylejmani.

Programi do të vazhdojë me interpretimin e Arif Vladit, i cili do të këndojë “Marshin e UÇK-së”.

Në skenë do të jetë edhe kryetari i Aleancës për Kosovën, Ardian Gjini, pasuar nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Pjesë e programit do të jetë edhe Buna Mustafa, vajza e Sali Mustafës – Calit, ndërsa aktiviteti do të përmbyllet me performancën e këngëtares Shkurte Fejza.

Të Ngjashme