Policia në Qipro po heton një rast të rëndë të neglizhencës ndaj fëmijëve, pasi një vajzë 11-vjeçare dyshohet se ishte lënë vetëm në shtëpi për dy ditë.
Policia u njoftua mbrëmjen e së enjtes dhe efektivët shkuan në banesën e familjes, ku gjetën 11-vjeçaren pa praninë e ndonjë të rrituri.
Kur policia e pyeti vajzën se ku ndodhej babai i saj, ajo dyshohet se u tha efektivëve se ai kishte udhëtuar jashtë vendit për të ndjekur një ndeshje futbolli dhe kishte munguar prej dy ditësh.
Sipas të dhënave që po hetohen nga autoritetet, babai kishte udhëtuar në Shqipëri për të ndjekur ndeshjen e Paphos FC kundër Dynamo City, e zhvilluar në Elbasan për eliminatoret e Ligës së Konferencës së UEFA-s.
Ekipi qipriot kishte organizuar gjithashtu një udhëtim zyrtar për tifozët, me nisje nga Paphos më 19 gusht.
Pas konstatimit të rastit, shërbimet e Mirëqenies Sociale u vunë në dijeni dhe morën përsipër mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijën.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet ndaj babait për neglizhencë dhe abuzim ndaj fëmijës.
Hetimet vijojnë, ndërsa deri tani nuk është bërë e ditur nëse babai është kthyer në Qipro apo nëse është lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij.
