Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike ka lansuar Platformën e Trajnimeve për Siguri Kibernetike për shërbyesit civilë.
Ministri në detyrë i këtij dikasteri, Lulëzon Jagxhiu tha se me zgjerimin e shërbimeve digjitale po rritet edhe ekspozimi ndaj sulmeve dhe kërcënimeve kibernetike.
Jagxhiu tha se programi i trajnimeve po lansohet në një moment të rëndësishëm për administratën publike dhe procesin e transformimit digjital të institucioneve.
“Programi i trajnimeve vjen sot në një moment shumë të rëndësishëm për administratën tonë publike, si dhe për transformimin digjital të institucioneve tona. Siç jemi të gjithë të vetëdijshëm, sot gjithnjë e më shumë shërbimet publike, por edhe proceset e brendshme të shtetit mbështeten në sistemet digjitale. Në e-Kosova tashmë kemi mbi 320 shërbime, jemi në prag të nënshkrimit të kontratës së re për e-Kosova 2.0 që do të ketë edhe 400 shërbime të reja. Por përveç kësaj, natyrisht jemi duke punuar për përmirësimin e proceseve të brendshme të shtetit përmes platformës mbarëqeveritare që do të përmirësojë mbikëqyrjen, monitorimin, planifikimin dhe politikbërjen e bazuar në të dhëna në administratën shtetërore”, tha ai.
Ai shtoi se teknologjia tashmë është bërë pjesë qenësore e funksionimit të shtetit modern, por paralelisht me digjitalizimin po rriten edhe kërcënimet kibernetike.
“Prandaj, duke filluar nga komunikimi institucional, regjistrat shtetërorë, shërbimet elektronike ndaj qytetarëve e bizneseve, e deri te infrastruktura kritike, teknologjia sot është pjesë qenësore e funksionimit të shtetit modern. Por, ashtu siç po digjitalizohemi çdo ditë, natyrisht rritet edhe mundësia, edhe jemi më të ekspozuar ndaj sulmeve dhe kërcënimeve kibernetike. Siç edhe jemi të gjithë vetëdijshëm, sulmet kibernetike sot janë ndër rreziqet me rritje më të shpejtë në nivel global”, tha ai.
I ngarkuari me Punë në Ambasadën e Luksemburgut, Eric Dietz, tha se kjo iniciativë paraqet mbështetje për institucione publike më të forta dhe më rezistente në Kosovë.
“Kjo iniciativë pasqyron përkushtimin tonë të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në Kosovë dhe nënvizon mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut për institucione publike më të forta dhe më rezistente”, tha ai.
Ai theksoi se siguria kibernetike nuk lidhet vetëm me teknologjinë, por edhe me njerëzit që menaxhojnë informacionet e ndjeshme.“Në botën digjitale të sotme, siguria kibernetike nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë, por edhe me njerëzit. Shërbyesit civilë trajtojnë çdo ditë informacione të ndjeshme dhe siguria e këtyre informacioneve është thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve dhe garantimin e funksionimit efektiv të institucioneve. Asnjë sistem digjital nuk mund të jetë i sigurt pa profesionistë të aftë që kuptojnë rreziqet, mbrojnë informacionet e ndjeshme dhe reagojnë në mënyrë efektive ndaj kërcënimeve në zhvillim”, tha ai.
Ndërkaq, ndërmarrësi dhe inxhinieri i multimedias, Leart Zogiani, përfaqësues i kompanisë KLSSC që ka punuar programin, demonstroi funksionimin e platformës, duke theksuar se sulmet kibernetike nuk janë vetëm problem teknik, por kryesisht problem njerëzor.
