Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për siç ka thënë kjo parti për sulmin e organizuar kibernetik dhe fushatën e koordinuar të manipulimit digjital ndaj komunikimit publik të Kryetarit të LDK-së dhe thirrjes së tij për Tubimin e Bashkimit.
Sipas LDK-së brenda pak minutash, mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në platformat sociale, në një përpjekje të qartë për të deformuar perceptimin publik, për të ulur artificialisht besueshmërinë e komunikimit politik dhe për të krijuar atmosferë të rreme refuzimi e polarizimi.
“LDK i bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të jenë të vetëdijshëm se kjo pritet të jetë një nga strategjitë kryesore të fushatës së ardhshme zgjedhore: rrënimi i kredibilitetit përmes manipulimit digjital, propagandës së organizuar dhe ndërhyrjeve hibride në opinionin publik.Kjo nuk është më një garë normale politike. Kjo është një përpjekje për ta zëvendësuar debatin demokratik me operacione psikologjike e propagandistike në hapësirën digjitale”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se dënon ashpër çdo ndërhyrje të tillë duke theksuar se vullneti qytetar nuk mund të manipulohet nga ushtri profilesh false, rrjete anonime apo mekanizma propagande.
“Kosova ka nevojë për zgjedhje të lira, debat të ndershëm dhe standard demokratik; jo për luftë hibride kundër mendimit të lirë dhe organizimit politik opozita”, thuhet nga LDK.
